Çfarë janë statinat? Përdorimet dhe efektet anësore të ilaçeve për kolesterolin
Një studim i ri i publikuar në The Lancet sugjeron se shumica e efekteve anësore që zakonisht lidhen me statinat nuk shkaktohen nga vetë ilaçi. Studimi analizoi të dhënat e 123,940 personave të ndjekur për rreth 4.5 vite në 19 prova klinike që krahasonin statinat me placebon. Rezultatet treguan se nuk kishte rritje të konsiderueshme të rrezikut për shumicën e problemeve të listuara në fletëudhëzues, si depresioni, problemet me gjumin, lodhja apo dhimbjet e kokës.
Sipas British Heart Foundation, statinat janë ilaçe që ulin kolesterolin dhe mbrojnë arteriet. Ato ulin nivelin e LDL-së (kolesteroli "i keq") dhe trigliceridet, duke ndihmuar në parandalimin e grumbullimit të pllakave në enët e gjakut dhe duke ulur rrezikun për infarkt ose goditje në tru.
Në Britani ka pesë lloje statinash me recetë, sipas NHS-së: atorvastatin (Lipitor), fluvastatin (Lescol), pravastatin (Lipostat), rosuvastatin (Crestor) dhe simvastatin (Zocor). Lloji përzgjidhet nga mjeku në bazë të rrezikut individual dhe tolerancës ndaj ilaçit; më i përshkruari është atorvastatina.
Statinat zakonisht u përshkruhen personave me kolesterol të lartë, por edhe atyre me rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare, si diabetikët, duhanpirësit, personat me tension të lartë, mbipeshë apo histori familjare të fortë. Mjekët përdorin një kalkulim rreziku 10-vjeçar; nëse rreziku për infarkt ose goditje në tru është 10% ose më shumë, rekomandohet trajtimi. Ato përshkruhen më shpesh tek të moshuarit, pasi mosha është faktor i rëndësishëm rreziku.
Megjithëse shumica e të rriturve mund t'i marrin, statinat nuk janë të përshtatshme për të gjithë. Për shembull, atorvastatina mund të mos rekomandohet për persona me probleme të mëlçisë apo veshkave, gjatë shtatzënisë ose gjidhënies, apo nëse ka pasur reaksion alergjik. Duhet kujdes edhe në rast goditjeje hemorragjike, konsumimi të lartë alkooli, hipotiroidizmi apo problemeve muskulore.
Statinat zakonisht merren një herë në ditë, shpesh në mbrëmje. Pacientët bëjnë analiza gjaku para fillimit dhe më pas kontrolle periodike për kolesterolin dhe funksionin e mëlçisë.
Gjatë trajtimit, këshillohet të shmanget grejpfruti dhe të informohet mjeku për çdo ilaç tjetër. Statinat funksionojnë më mirë kur kombinohen me stil jetese të shëndetshëm: ndalimi i duhanit, aktiviteti fizik dhe dietë e balancuar.
Ato zakonisht janë trajtim afatgjatë. Ndërprerja mund të çojë në rritje të kolesterolit dhe humbje të mbrojtjes kundër sëmundjeve të zemrës. / The Independent – Syri.net