Kaos në futbollin meksikan pas vrasjes së kryetrafikantit: ndeshje të shtyra dhe rrugë të bllokuara

Katër ndeshje të kampionatit të futbollit në Meksikë u shtynë të dielën pas një vale dhune në rrugë, e cila pasoi një operacion policor ku u vra trafikanti i drogës, Nemesio ‘El Mencho’ Oseguera Cervantes. U anuluan dy ndeshje të elitës: Queretaro-Juarez te meshkujt dhe Chivas-America te femrat, si dhe dy ndeshje të divizionit të dytë.

Kombëtarja e Meksikës ka në plan një miqësore ndaj Islandës, të mërkurën, në stadiumin “Corregidora” në Queretaro, por federata nuk ka marrë ende vendim për shtyrjen e mundshme të saj. Operacioni shkaktoi zjarrvënie të autobusëve dhe makinave, bllokime rrugësh dhe përleshje me policinë nga anëtarë të grupeve kriminale.

Shteti perëndimor Jalisco, ku u krye operacioni, regjistroi 65 bllokime kryesisht në rrugë federale, shtetërore dhe urbane kyçe. Raportohet se të paktën 26 persona humbën jetën dhe ka shumë të arrestuar, megjithëse situata po përmirësohet gradualisht.

Kujtojmë se këtë verë Meksika, së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë, do të jenë bashkëpritëse të Botërorit të Futbollit 2026, duke shtuar presionin për siguri dhe organizim në vend.