'Gazetaren Akila' e mirëpret dhe OKB', Nini: Projekt shqiptar që synon të luftojë korrupsionin

Në një konferencë të Kombeve të Bashkuara në Bangkok, sipërmarrësi shqiptar prezantoi një  moderatore virtuale që “nuk intimidohet” dhe një sistem inteligjent monitorimi të drejtësisë, duke theksuar se teknologjia mund të vendoset në shërbim të qytetarëve edhe në raste kur institucionet apo qeveritë nuk kanë interes për mekanizma të fortë mbikëqyrës.

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, Aldor Nini, CEO i Akromax, u shpreh se sistemi i monitorimit të drejtësisë me inteligjencë artificiale është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mund të përdoret drejtpërdrejt nga qytetarët, edhe pa miratimin e qeverisë.

Ai u shpreh se duke analizuar dokumentacionin e çështjeve, identifikuar shkeljet procedurale dhe sugjeruar hapat që duhen ndërmarrë, moderatorja virtuale “Akila” garanton raportim të pavarur, pa presione dhe pa pasoja personale.

Pjesë nga deklarata:

Normalisht, nuk kam ardhur për pushime këtu, por për të punuar dhe kemi bërë shumë takime. Janë zhvilluar edhe shumë udhëtime në vendet afër Bangkokut, sepse e gjithë kjo nismë që kam nisur kërkon shumë punë. Nuk është vetëm ai rezultat i shkurtër që prezantohet, por ka shumë punë që të realizohet ashtu siç e kam vizionin për të.

Qeveritë, si e jona ashtu edhe nëpër botë, kanë axhendën e tyre. Në rastin konkret, një qeveri mund të synojë që në një moment të caktuar, qoftë pas një viti, 10 vitesh, 20 vitesh apo kurrë, të zëvendësojë ndoshta gjyqtarët ose punonjësit e administratës me inteligjencën artificiale. Kjo nuk është strategjia që ndjekin të gjithë pjesëmarrësit me të cilët kam diskutuar në konferencë dhe në forume të ndryshme për këtë temë, ku theksohet se nuk është e drejtë që jeta e një njeriu të vendoset në dorën e inteligjencës artificiale. Strategjia aktuale është që inteligjenca artificiale t’i ndihmojë njerëzit dhe pikërisht ky është edhe synimi ynë.

Sistemi për monitorimin e sistemit të drejtësisë mund të implementohet edhe nga një qeveri, por kjo ka implikime të tjera, pasi përfshin akses në të dhëna sensitive dhe çështje të sigurisë së të dhënave. Megjithatë, ne kemi gjetur një zgjidhje që sistemi ynë, edhe pa miratimin e qeverisë, të vihet në dispozicion të qytetarëve.

Çdo person që është i pandehur ose viktimë në një çështje penale mund t’i japë sistemit të gjitha informacionet, shkresat dhe regjistrimet audio nga seancat gjyqësore, dhe sistemi do të kryejë analizën përkatëse. Pas analizës, ai mund të sugjerojë hapat që duhen ndërmarrë dhe të përgatisë sinjalizime për entitete mbikëqyrëse, si për shembull ILD-ja për prokurorët, institucione të tjera për gjyqtarët, apo edhe organizata ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut. Pra, një qytetar i prekur nga sistemi i drejtësisë mund ta përdorë këtë sistem.

Kemi marrë parasysh edhe faktin që jo çdo qytetar në Shqipëri është në gjendje të mbledhë dokumentacionin dhe regjistrimet audio nga gjykata, për shkak të procedurave dhe formateve të ndryshme. Ky proces po automatizohet, në mënyrë që kërkesat dhe ndjekja e përgjigjeve të realizohen me ndihmën e inteligjencës artificiale. Praktikisht, siç ekziston sot ChatGPT, do të ketë një formë komunikimi që mund të realizohet edhe përmes WhatsApp-it, pa nevojën e një aplikacioni tjetër, ku qytetari komunikon me sistemin, jep të dhënat dhe merr udhëzimet dhe zgjidhjet e mundshme. Është si një super avokat që ndihmon në gjetjen e zgjidhjes dhe drejtësisë.

Një nga pyetjet kryesore ka qenë se sa persona mund të mbeten pa punë dhe çfarë ndodh nëse qeveria nuk e implementon sistemin. Nëse një qeveri do të ishte e korruptuar, mund të mos kishte interes ta implementonte një sistem të tillë mbikëqyrës. Por alternativa që sistemi të përdoret nga popullata është mirëpritur si ide dhe është konsideruar një mënyrë efektive për ta vënë në zbatim.

Sistemi, me miratimin e personave, mund të lidhet edhe me gazetaren virtuale, që do të thotë se nëse konstatohet shkelje e të drejtave, rasti mund të përgatitet në formë raportimi dhe të transmetohet nga moderatorja virtuale Akila, si dhe t’u shpërndahet mediave apo ambasadave dhe entiteteve të tjera.

Kjo është e rëndësishme për të identifikuar problemet në sistemin e drejtësisë dhe për t’i bërë ato të njohura për qytetarët e tjerë. Nëse një rast i ngjashëm bëhet publik në media, qoftë nga Akila apo nga një televizion tjetër që vendos ta transmetojë, qytetarë të tjerë me probleme të ngjashme mund të kenë më shumë kurajë ta përdorin sistemin.

Ekziston edhe një problem mentaliteti, pasi shpesh ka hezitim për t’iu drejtuar një gazetari apo një avokati për të raportuar padrejtësi, me idenë se gjërat duhen zgjidhur qetësisht. Kjo qasje ka ndikuar në situatën aktuale, pasi shpesh padrejtësitë kalohen në heshtje. Një zgjidhje si kjo, me sistemin e monitorimit dhe me gazetaren virtuale që mund të bëjë pyetje shtesë për publikun, ofron një mënyrë konfidenciale komunikimi. Qytetari mund të ndihet më komod të flasë me një sistem inteligjence artificiale, duke pasur garanci se biseda mbetet konfidenciale deri në momentin kur ai vendos ta bëjë publike.

Ideja nuk është të shtohet një prezantuese më shumë në treg, por të krijohet një prezantuese pa limite njerëzore. Limitet njerëzore lidhen me kohën dhe me faktorë të tjerë, si presioni apo pasojat personale. Një moderatore virtuale nuk përballet me pasoja personale, si diskriminimi apo presioni në jetën e përditshme, dhe për këtë arsye mund të ushtrojë rolin e saj pa kufizime të tilla.