Pse bashkëpunimi industrial i mbrojtjes SHBA - BE ka më shumë rëndësi se kurrë

Aleanca transatlantike e NATO-s ka qenë themeli i sigurisë evropiane dhe amerikane për dekada të tëra.

Nga Andrew Puzder - Matthew Whitaker - Politico

Sot, ndërsa bota përballet me sfida komplekse dhe të pashembullta sigurie, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të punojnë së bashku për të mbështetur dhe forcuar këtë partneritet. Kufizimi i pjesëmarrjes së industrisë së mbrojtjes amerikane në programet evropiane të prokurimit, kërcënon atë partneritet dhe dobëson sigurinë tonë të ndërsjellë.

Për t’u vlerësuar, aleatët e NATO-s i janë përgjigjur thirrjes së Presidentit Donald Trump për rritje të investimeve në mbrojtje, me angazhime për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 përqind të PBB-së. Por, për pjesën më të madhe, këto angazhime janë ende të paplotësuara, që do të thotë se SHBA-të ende mbajnë një pjesë disproporcionale të kostove të sigurisë së Evropës dhe ofrojnë aftësi teknike dhe të prodhimit mbrojtës, që u mungojnë aleatëve tanë të NATO-s.

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, linjat e prodhimit në SHBA duhet të funksionojnë me kapacitet për të furnizuar municione që vendet e tjera nuk mund t’i furnizojnë, siç janë sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe raketat e tyre interceptuese, si dhe municionet dhe pjesët rezervë të F-16. Kjo është veçanërisht e vërtetë ndërsa SHBA-të përpiqen të përmbushin nevojat e veta të prodhimit të mbrojtjes, si dhe ato të aleatëve tanë në të gjithë botën. Që SHBA-të të vazhdojnë të furnizojnë armatimet që u nevojiten Ukrainës dhe vendeve anëtare të NATO-s, kërkohen porosi të mjaftueshme për të justifikuar prodhimin e tyre dhe burime për t’i paguar ato.

Duke pasur parasysh këtë, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime se si iniciativat mbrojtëse të BE-së, si Veprimi i Sigurisë për Evropën (SAFE) dhe Programi i Industrisë Evropiane të Mbrojtjes (EDIP), kufizojnë aksesin në treg për kompanitë amerikane. Masa të tilla përjashtuese minojnë mbrojtjen tonë kolektive duke kufizuar konkurrencën, duke penguar inovacionin dhe duke i privuar këto kompani nga porositë që u nevojiten për të ruajtur prodhimin në nivelet e kërkuara për të përmbushur nevojat e aleatëve tanë.

EDIP dhe SAFE i japin mandat BE-së të mbajë kontrollin mbi projektimin, konfigurimin dhe modifikimin e ardhshëm të sistemeve të mbrojtjes. Dhe këto kërkesa kërcënojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, kufizojnë zinxhirët e furnizimit dhe pengojnë ndërveprimin transatlantik. Përveç kësaj, këto programe vendosin një kufi prej 35 përqind në pjesëmarrjen industriale të SHBA-së, duke kufizuar mundësinë e sipërmarrjeve të përbashkëta të mbrojtjes SHBA-BE.

Duke parë përpara, jemi veçanërisht të shqetësuar për planin e Komisionit për të përfshirë "preferencën evropiane" në Direktivën e Prokurimit të Mbrojtjes në vitin 2026. Rishikimet e Direktivës janë kritike sepse ato do të ndikojnë drejtpërdrejt, në mënyrën se si vendet e BE-së i shpenzojnë paratë e tyre kombëtare për prokurimet e mbrojtjes. Pikëpamja jonë është se vendet e BE-së duhet të kenë autonomi të plotë sovrane për të marrë vendime në lidhje me prokurimet e mbrojtjes - duke përfshirë edhe vendin ku do të bëhen blerjet - pa imponuar BE kritere shtesë të përshtatshmërisë të ngjashme me ato të pranishme në SAFE dhe EDIP.

Në mënyrë të ngjashme, nëse qëllimi i kredisë prej 90 miliardë eurosh të propozuar nga Komisioni Evropian për Ukrainën është që Ukraina të mposhtë Rusinë, BE-ja duhet t'i lejojë Ukrainës të blejë atë që i nevojitet sa më shpejt të jetë e mundur. Përndryshe, kredia duket se shërben më shumë si një iniciativë zhvillimi ekonomik, që favorizon industritë mbrojtëse të disa vendeve të BE-së.

Le të jemi të qartë: Ne mirëpresim përpjekjet e vendeve anëtare për të rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe përdorimin e levave financiare nga BE-ja për të inkurajuar më shumë shpenzime për mbrojtjen. Por jo me koston e dekadave të bashkëpunimit, duke fragmentuar tregun e mbrojtjes dhe duke zvogëluar efektivitetin e përpjekjeve të përbashkëta.

Implikimet ekonomike janë të rëndësishme. Kompanitë amerikane të mbrojtjes nuk janë thjesht furnizues; ato janë partnerë që kanë investuar në ekonomitë evropiane, kanë krijuar dhjetëra mijëra vende pune evropiane me paga të mira dhe kanë ofruar teknologjinë e përparuar që forcon NATO-n. Industria jonë transatlantike e mbrojtjes është më efektive kur kombet janë të lira nga politikat proteksioniste dhe janë në gjendje të zgjedhin pajisjet dhe aftësitë që i përshtaten më së miri nevojave të tyre. Ndërmarrjet e përbashkëta dhe zinxhirët transatlantikë të furnizimit kanë mundësuar bashkëpunimin në teknologjitë e gjeneratës së ardhshme, duke përfshirë mbrojtjen raketore dhe kibernetike. Duke shfrytëzuar ekspertizën dhe burimet e industrisë amerikane, Evropa mund të ndajë barrën e investimeve në mbrojtje dhe të sigurojë qasje në pajisjet më të mira të mundshme.

SHBA-të vazhdimisht kanë mirëpritur investimet dhe konkurrencën evropiane në tregun tonë të mbrojtjes, duke përfshirë edhe Marrëveshjet Reciproke të Prokurimit të Mbrojtjes (RDPA) me 19 nga 27 vendet e BE-së. Hapja reciproke është thelbësore për të ruajtur besimin, dhe për të siguruar që të dyja palët të përfitojnë nga investimet e përbashkëta. Masat kufizuese janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e vendeve anëtare sipas këtyre marrëveshjeve dhe minojnë aksesin në bazën tonë të gjatë të përbashkët industriale të mbrojtjes transatlantike.

Rreziqet janë të larta. Një Evropë e begatë dhe e sigurt është në interesin më të mirë si të BE-së ashtu edhe të Shteteve të Bashkuara. Aftësia mbrojtëse evropiane forcon NATO-n dhe u mundëson të dyja palëve të përballen me sfidat globale në mënyrë më efektive. Krijimi i barrierave për industrinë amerikane do të ngadalësojë përpjekjet e Evropës për riarmatosje dhe do të minojë si gatishmërinë ashtu edhe ndërveprimin e NATO-s duke ndërprerë aksesin në zinxhirët e integruar të furnizimit transatlantik.

Politikëbërësit e BE-së që po shqyrtojnë të ardhmen e bashkëpunimit në mbrojtje përballen me një zgjedhje të qartë - të ndjekin politika që kufizojnë aksesin në treg dhe fragmentojnë sektorin e mbrojtjes, ose të nxisin një mjedis hapjeje, konkurrence dhe inovacioni. Qasja e fundit mbështet sigurinë tonë kolektive, gatishmërinë, qëndrueshmërinë dhe investimet me kosto efektive, duke u sjellë dobi taksapaguesve, punëtorëve dhe anëtarëve të shërbimit në të dyja anët e Atlantikut./ Politico.