Kreu më i kërkuar i kartelit të drogës në Meksikë, i vra në një sulm ushtarak! BBC: Kush është El Mencho?
Ministria e mbrojtjes e Meksikës njoftoi se njeriu më i kërkuar i Meksikës dhe kreu i kartelit të frikshëm të drogës Jalisco New Generation është vrarë nga ushtria në një operacion sigurie. Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si "El Mencho", u vra gjatë një operacioni ushtarak të kryer në agim të së dielës në qytetin Tapalpa, në shtetin qendror-perëndimor të Jaliscos.
Ministria e Mbrojtjes tha se disa anëtarë të CJNG u vranë gjatë operacionit, ndërsa El Mencho u plagos rëndë. Ai vdiq ndërsa po transferohej me aeroplan në Mexico City. CJNG është përhapur nga baza e saj origjinale e pushtetit në Jalisco për të pasur një prani pothuajse mbarëkombëtare në të gjithë Meksikën.
Ministria e Mbrojtjes tha gjithashtu se gjatë operacionit u sekuestruan disa automjete të blinduara dhe armë përfshirë raketahedhës. Më tej, thuhet se tre anëtarë të ushtrisë u plagosën gjatë incidentit dhe u dërguan në spital në Mexico City për trajtim urgjent. Gjatë gjithë të dielës, pati raportime për makina të djegura dhe pamje të personave të armatosur në rrugët e Jalisco dhe gjetkë.
BBC shkruan se, Guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus Navarro, në mediat sociale u këshilloi banorëve të shtetit që t'i përmbahen paralajmërimit të kuq dhe të shmangin daljen nga shtëpitë e tyre. Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi gjithashtu një paralajmërim për strehim në vend për qytetarët amerikanë në shtetin Jalisco, shtetin Tamaulipas dhe zonat e shtetit Michoacan, shtetit Guerrero dhe shtetit Nuevo Leon.
Ministria meksikane e mbrojtjes tha se SHBA-të i kishin dhënë Meksikës informacione që ndihmuan në operacionin e saj. Ish-ambasadori amerikan në Meksikë dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit Christopher Landau tha në mediat sociale se vdekja e El Mencho ishte një zhvillim i madh për Meksikën, SHBA-në, Amerikën Latine dhe botën. SHBA-të kishin ofruar më parë një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacionin që çonte në kapjen e El Mencho-s.