Premier League/ Arsenali ‘poker’ në derbin e Londrës, forcon pozitat në krye të renditjes
Arsenali është rikthyer fuqishëm në Premier League, duke triumfuar 4-1 si mysafir ndaj Tottenham Hotspur në javën e 27-të.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta zhvilloi një paraqitje bindëse, me protagonist absolut Eberechi Eze, i cili ishte i pandalshëm për mbrojtjen vendase.
Arsenali kaloi në epërsi në minutën e 32-të, kur pas një tollovie në zonë, Bukayo Saka asistoi për Ezen, që realizoi për 0-1. Reagimi i Spurs ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 34-t barazuan me anë të Randal Kolo Muani për 1-1.
Në pjesën e dytë, “Topçinjtë” u treguan më konkretë. Në minutën e 47-të, Viktor Gyökeres shënoi me një goditje të saktë nga distanca për 1-2.
Arsenali vazhdoi presionin, ndërsa portieri Guglielmo Vicario shmangu disa gola të tjerë.
Në minutën e 61-të, Eze realizoi sërish pas një topi të mbetur në zonë për 1-3.
Tottenhami tentoi të rikthehej dhe gjeti rrjetën përsëri me Kolo Muanin, por goli u anulua për faull.
Në fund, Richarlison shpërdoroi një rast të artë, duke u ndalur nga David Raya.
Në kohën shtesë, Gyökeres vulosi fitoren me golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë triumf në derbin lokal, Arsenali mban vendin e parë me pesë pikë më shumë se Manchester City, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.