Premier League/ Liverpooli arrin fitoren në sekondat e fundit ndaj Nottingham Forest
Liverpooli ka marrë një fitore dramatike në transfertë ndaj Nottingham Forest, duke triumfuar 0-1 në minutën e fundit të kohës shtesë.
Vendasit zhvilluan një paraqitje shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë, ku krijuan disa raste të pastra shënimi përmes Callum Hudson-Odoi, Morgan Gibbs-White dhe Elliot Anderson.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk arriti ta mposhtte portierin mysafir.
Nottingham tentoi plot 10 herë drejt portës, por pa sukses në finalizim.
Në fraksionin e dytë, Liverpool mbajti më shumë posedimin e topit, por pa krijuar rrezik real. Alexis Mac Allister realizoi në fund, por goli i tij u anulua për prekje të topit me dorë.
Gjithsesi, argjentinasi u shndërrua në heroin e takimit në minutën 90+5’, duke përfituar nga një top i kthyer në zonë dhe duke i siguruar “The Reds” tre pikët e plota.
Me këtë fitore, Liverpool ngjitet në vendin e gjashtë me 45 pikë, ndërsa Nottingham mbetet në pozitën e 17-të me 27 pikë.