SYRI TV/ Librazhd–Pogradec: Aksi kryesor juglindje-Tiranë mbetet i mbyllur
SYRI TV
Situata në aksin që lidh Librazhdin me Përrenjasin vijon të jetë e rënduar. Ky aks vijon të jetë i bllokuar dhe i pakalueshëm për automjetet për shkak të rrëshqitjes së tokës në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë, duke sjellë paralizimin e plotë të lëvizjeve drejt juglindjes së vendit. Pamjet që vijnë nga kjo zonë janë të frikshme dhe që tregojnë çarje të thella në asfalt, deformim të trasesë së rrugës dhe një strukturë që vijon të lëvizë mbi një terren të paqëndrueshëm. Gjithashtu edhe ura automobilistike është zhvendosur disa centimetra
Prej mesditës së të shtunës, kjo arterie jetike që lidh Juglindjen e vendit me Tiranën apo qytete të tjera të vendit, është mbyllur plotësisht për çdo lloj mjeti. Lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi, për shkak të infrastrukturës së amortizuar. Këto pamje vijnë pikërisht nga ky aks rrugor, që për orë të tëra gjatë natës së të shtunës qëndroi i bllokuar.
Prej më shumë se 24 orësh ky segment vijon të jetë i mbyllur, ndërkohë që vetëm gjatë mesditës të së dielës, u bë e mundur hapja e një korridori për kalimin e këmbësoreve.
Kalimtarët shprehen të irrituar për një situatë të tillë, duke theksuar se është një ngjarje e paralajmëruar, ndërsa banorët e zonës, theksojnë se nga rrëshqitet e tokës, rrezikojnë edhe banesat e tyre.
Ndërkohë shpresat për ta parë aksin rrugor të hapur sa më shpejtë dhe për ta vënë në përdorim të qytetarëve, duket se i ka shuar drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, i cili ka pohuar se të paktën deri pasditen e së hënës, aksi rrugor do të qëndrojë i mbyllur
Segmenti qëndron aktualisht i mbyllur, ndërsa përtej katastrofës natyrore, pikëpyetje të forta lindin për përgjegjësinë institucionale.
Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ka filluar kryesisht procedimin penal për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës” dhe bën të ditur se për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor.
Kujtojmë se gjatë pasdites dhe orëve të vona të së shtunës, për shkak të bllokimit të këtij aksi rrugor, qindra qytetarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë mbetën të bllokuar, duke e patur të pamundur të mbërrinin në destinacionet e tyre.