Teliti: Presidenti të mos dekretojë ligjin për ‘Shtetin Digjital’, rrezikon kapjen e infrastrukturës së të dhënave
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti, ka ndaj ligjit të miratuar me urgjencë nga mazhoranca socialiste për administrimin e infrastrukturës digjitale të vendit, duke e cilësuar atë si një akt të rrezikshëm me pasoja për sigurinë kombëtare dhe liritë e qytetarëve. Në një status në FB, Teliti thotë se qeveria po hap rrugën që sistemet kritike digjitale të Republikës së Shqipërisë, përfshirë platformat që mbajnë dhe përpunojnë të dhënat personale të qytetarëve, të kalojnë në administrim të shoqërive hibride me përfshirje të interesave private deri në 49%.
Teliti paralajmëron se ky ligj shmang kontrollin parlamentar, përqendron vendimmarrjen përmes VKM-ve dhe rrit rrezikun për mungesë transparence në kontrata që kapin vlera qindra milionë euro në vit. Ai i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë ligjin dhe ta kthejë për rishqyrtim, duke theksuar se “shteti digjital” është pronë e qytetarëve dhe jo e një mazhorance politike.
Reagimi i plotë në FB:
“SHTETI DIGJITAL” ËSHTË PRONË E SHQIPTARËVE, JO E MAZHORANCËS (NË LETRA) QEVERISËSE. PRESIDENTI TË MOS E DEKRETOJE LIGJIN E RREZIKSHËM KLINTELIST.
Tre ditë më parë, mazhoranca socialiste miratoi me urgjencë një ligj që prek drejtpërdrejt kontrollin mbi shtetin digjital shqiptar.
Nën maskën e “modernizimit”, po ndërtohet një skemë ku sistemet kritike digjitale të Republikës – ku përfshihen edhe platformat që mbajnë e trajtojnë të dhënat e çdo qytetari – mund të kalojnë në administrim të shoqërive hibride, me 49% hapësirë për interesa private.
Kjo nuk është reformë. Kjo është kapje politike dhe financiare e infrastrukturës digjitale të shtetit.
Kontrolli parlamentar nuk do ekzistojë, cdo gjë do vendoset me VKM.
Pagesat qindra milionë euro cdo vit për këto kontrata të mbyllura nuk do monitorohen dot më. Mungon gara e hapur, cënohet ndjeshëm cilësia e shërbimit, shumë më pak transparencë, më shumë pushtet i përqendruar.
Po flasim për arkitekturën digjitale të Republikës. Po flasim për kontroll mbi të dhënat, mbi sistemet, mbi mekanizmat e shtetit. Kur pushteti fillon të ndërtojë struktura paralele rreth sistemeve kritike, alarmi duhet të ndizet.
Por jemi ende në kohë për ta shbërë këtë akt tejet të rrezikshëm. Ndaj i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës: Mos e dekretoni këtë ligj. Kundërshtojeni me forcë. Kthejeni për rishqyrtim.
Shteti digjital nuk është pronë e një mazhorance (në letra) politike. Është garanci e sigurisë kombëtare dhe e lirisë së qytetarëve.