'Aksi Elbasan-Përrenjas çështje juridike, jo politike'/ Beci: Shteti serioz matet me ligjin, jo me…

Ish-prokurori Eugen Beci deklaron se situata në aksin Elbasan–Përrenjas lidhet me shkelje të mundshme ligjore dhe jo me debat politik. Ai thekson se ndërhyrjet në lumi Shkumbin, në kuadër të Korridori VIII, mund të kenë pasoja serioze për mjedisin, sigurinë dhe rrezikun e përmbytjeve.

Sipas tij, Prokuroria duhet të verifikojë respektimin e lejeve mjedisore, Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe çdo ndërhyrje jashtë projektit. Shteti serioz, thekson Beci, matet nga respektimi i ligjit, jo nga kilometrat e asfaltit.

Reagimi i plotë:

Ndërhyrjet përgjatë lumit Shkumbin në kuadër të punimeve të korridor VIII nuk mund të trajtohen si çështje teknike rutinë.

Kur shtrati i një lumi ngushtohet, devijohet apo mbushet me inerte, pasojat nuk janë vetëm mjedisore. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e brigjeve, në sigurinë e infrastrukturës dhe në rrezikun e përmbytjeve.

Nëse sot shohim çarje, rrëshqitje apo deformime përgjatë aksit Elbasan–Prrenjas, pyetja nuk është politike. Është juridike:

-A janë respektuar kushtet e lejeve mjedisore?

-A është zbatuar saktë Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis?

-A ka pasur ndërhyrje jashtë projektit të miratuar?

-A është cenuar interesi publik përmes neglizhencës apo abuzimit?

Prokuroria nuk heton “zhvillimin”. Ajo heton ligjshmërinë.

Infrastruktura strategjike nuk mund të ndërtohet duke sakrifikuar lumin, mjedisin dhe sigurinë publike. Nëse lejet janë dhënë ose zbatuar në kundërshtim me standardet, përgjegjësia duhet të jetë konkrete dhe individuale.

Shteti serioz nuk matet nga kilometrat e asfaltit, por nga respektimi i ligjit.