Kërnaja, para Flamurtarit: Pa presion, vetëm përgjegjësi për fitoren
Trajneri i Partizani Tirana, Oltijon Kërnaja, doli në konferencë për shtypin në prag të përballjes së rëndësishme ndaj Flamurtarit, duke theksuar se skuadra e tij është e përgatitur për një ndeshje të vështirë dhe synon vetëm tri pikët.
Sfida ndaj Flamurtarit: “Është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, por edhe për Flamurtarin. Pavarësisht pozicionit që ata kanë në renditje, është një ndeshje e vështirë. Dy përballjet e mëparshme janë vendosur nga episode të veçanta, prandaj e dimë se çfarë na pret. Flamurtari ka lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment. Ne do të hyjmë në fushë për tri pikët, sepse për këtë luhet futbolli, për të fituar”, deklaroi Kërnaja.
Gjendja e skuadrës: “Skuadra është në gjendje shumë të mirë, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Gjatë sezonit kemi pasur shumë mungesa, shpesh mbi dhjetë lojtarë jashtë në çdo ndeshje, por nuk jemi ankuar. Forca e këtij klubi është grupi. Partizani nuk varet nga individi. Për këtë takim kemi mungesat e sigurta të Buxhelaj dhe Doumbia”, theksoi trajneri.
Presioni dhe objektivat: “Nuk ndiej presion, por përgjegjësi. Emri dhe historia e Partizanit të detyrojnë të luftosh gjithmonë për trofe dhe për pozitat më të larta. Ne nuk shohim çfarë bëjnë rivalët. E kemi fatin në dorën tonë dhe do të futemi në fushë vetëm për fitore”, u shpreh ai për garën drejt “Final 4”.
Besimi te ecuria: “Unë e kam pritur këtë përmirësim. Edhe kur shumëkush kishte dyshime, unë besoja te grupi, te klubi dhe te puna jonë. Do të jemi konkurrues për ‘Final 4’. Tani fokusi ynë është vetëm ndeshja e radhës”, përfundoi Kërnaja.