Pekini mbështet zhvillimin e implanteve në tru për të rivalizuar Neuralinkun e Elon Musk-ut

Përpjekja e Kinës për të krijuar kompani lidere në teknologjinë mjekësore, në konkurrencë me grupe amerikane si Neuralinku i Elon Musk-ut, po jep rezultatet e para. Start-up-i NeuroXess me bazë në Shangai, i themeluar në vitin 2021, pritet të nisë testimet tek njerëzit vetëm pak vite pas krijimit.

Kompania zhvillon çipa truri që mundësojnë komunikimin mes njeriut dhe makinës. Së fundmi, ajo raportoi se një pacient i paralizuar arriti të kontrollonte kursorin e kompjuterit vetëm pesë ditë pas implantimit. Themeluesi Tiger Tao tha se mbështetja shtetërore dhe entuziazmi i investitorëve e kanë përshpejtuar kalimin nga laboratori në treg. "Për ne, koha është para," u shpreh ai.

Qeveria kineze e ka shpallur teknologjinë e ndërfaqes tru-kompjuter (BCI) sektor strategjik kombëtar dhe synon të krijojë dy ose tri kompani "të klasit botëror" deri në vitin 2030. Autoritetet kanë premtuar lehtësim rregullator, nxitje të eksperimenteve klinike dhe mobilizim kapitali. Që nga shkurti i vitit të kaluar janë nisur 10 prova klinike për çipa invazivë në tru.

Sektori po rritet me shpejtësi: në 11 muajt e parë të vitit 2025 u realizuan të paktën 24 raunde financimi për start-up-e BCI-së, 30% më shumë se një vit më parë. Sipas ekspertëve, kompanitë kineze po lëvizin agresivisht për të futur pajisjet tek pacientët dhe për të zgjeruar përdorimet.

NeuroXess vendos një rrjetë metalike mbi sipërfaqen e trurit, e cila kap sinjalet dhe i transmeton ato tek pajisje të jashtme. Sistemi lidhet me një bateri në kraharor. Aktualisht kompania fokusohet tek pacientët me paralizë ose ALS. Tao thekson se popullsia e madhe e pacientëve në Kinë e bën më të lehtë rekrutimin për prova klinike.

Ndërkohë, Neuralink po zhvillon prova globale me 21 persona dhe përdor elektroda të futura drejtpërdrejt në indin e trurit. Kompania amerikane raporton shpejtësi më të larta përpunimi të sinjaleve, ndërsa NeuroXess ndjek një qasje më pak depërtuese për të shmangur dëmtimet.

Paralelisht, kompani kineze po punojnë edhe për pajisje jo-invazive jashtë kafkës. Tao parashikon që në të ardhmen ndërhyrjet do të kërkojnë prerje minimale, ndërsa zhvillimi i shpejtë në Kinë do të ulë kostot dhe do të rrisë përdorimin e teknologjisë. / FT – Syri.net