Balliu: Skema mafioze e narko-policisë, arrestimi i të miturve dhe dhuna ndaj protestuesve, akt kriminal i qeverisë Rama

Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat nga komisariati numër një i Pezës në kryeqytet lidhur me ngjarjet e protestës së mbrëmjes së djeshme ka bërë akuza të rënda ndaj policisë, duke i cilësuar veprimet e saj si një skemë mafioze, që përfshin përdorimin e të miturve si shënjestër.

Deputeti theksoi se, dy të mitur, njëri 14 dhe tjetri 15 vjeç, gjatë protestës janë përfshirë në një skemë të orkestruar nga individë të lidhur me pushtetin.  Ai ka theksuar se kjo është një skemë kriminale e ngritur nga narko-policia, e cila, sipas tij, është e lidhur ngushtë me Ilir Prodën, Edi Ramën dhe Ergys Agasin.

Balliu denoncoi dhunën policore ndaj protestuesve, duke përmendur edhe rastin e Vilsonit, i cili, sipas tij, është goditur rëndë me gaz lotësjellës nga narko-policia dhe duhet të ishte në spital, por vazhdon të mbahet në paraburgim. Balliu e ka quajtur këtë një akt të papranueshëm dhe ka premtuar se do të vazhdojnë të luftojnë kundër këtyre skemave të turpshme që, sipas tij, janë ngritur për të shkatërruar opozitën dhe të drejtat e qytetarëve.

Pjesë nga deklarata:

Gjithçka është një skemë e narko-policisë së Ilir Prodës, ku dy të mitur, 14 dhe 15 vjeç, gjatë protestës iu afrua një zotëri dhe u kërkoi të fusin në çantat e tyre të shkollës kapsolla të mëdha. Pas një minute, iu erdhi policia. Po çfarë u kishte thënë ky zotëria? "Futni këto në çantë dhe nëse ju kap policia, thoni që na kanë paguar. Thoni që na kanë paguar." Dhe vetëm një minutë më pas, këta dy fëmijë u kapën nga policia dhe sot i mbajnë në mënyrë të padrejtë këtu.

Në fakt, janë tre të mitur, 14 dhe 15 vjeç, dhe djali tjetër është gjithashtu 15 vjeç, dhe po mbahen në shkelje të ligjit në paraburgim, në kuadër të një skeme totalisht mafioze të një narko-policie që ka humbur të drejtën për të veshur uniformën. Policia, në vend që të jetë në krah të qytetarëve, ngriti skema të tilla të turpshme. Pra, dua ta theksoj, është ngritur një skemë ndaj këtyre fëmijëve për t'u thënë: "Futeni këto kapsolla në çantë dhe thoni që na kanë paguar." Dhe për këtë skemë, për interesa mediatike dhe politike të pushtetit aktual, tre të mitur janë sot në dhomat e paraburgimit. Po ashtu, Vilsoni, i cili është goditur në mënyrë çnjerëzore në kokë me bombat e gazit nga narko-policia e Ergys Agasit, Edi Ramës dhe Ilir Prodës, vazhdon të mbahet këtu, kur ai duhej të ishte në spital dhe të qëndronte atje.

Ne kemi parë se si të burgosurit që kanë bërë vrasje janë mbajtur në spital për një muaj, dy muaj, ndërsa Vilsoni vjen dhe mbahet këtu, kur ai duhej të ishte pa diskutim në spital. Thënë këto, pata komunikim dhe i kam parë protestuesit, të cilët janë më të motivuar se kurrë për të vazhduar betejën, dhe këto skema mafioze nuk do të pranohen. Por rëndësi për mediat sot është që të bëjmë publike se një skemë kriminale është ngritur ndaj tre të miturve nga narko-policia e Ergys Agasit, Ilir Prodës dhe Edi Ramës.

T’i fusësh fëmijëve kapsolla në çantë dhe t’u thuash "thoni që janë paguar nga opozita", dhe pastaj, me këtë justifikim, t’i mbash këtu në mënyrë çnjerëzore, është një shkelje flagrante e ligjit. Ju falenderoj shumë që keni ardhur dhe falenderoj të gjithë qytetarët që na mbështetën dje. Falenderoj gjithashtu ata që u përballën dje dhe i garantoj atyre besimtarëve myslimanë, të cilët u sulmuan dje me gaz lotsjellës gjatë faljes së namazit, se narko-policia do të marrë përgjigjen e merituar.