Meta: Protesta e opozitës, triumf qytetar mbi juntën policore, Neni 'Rama' në KPP do të jetë funerali publik..
Në një intervistë ekskluzive, për portalin “Syri. net”, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta tha se neni 'Rama' në Kodin e Procedurës Penale do të jetë funerali publik i Ramaformës. Ai shtoi se protesta e opozitës dje para kryeministrisë ishte triumf i guximit qytetar mbi panikun e juntës policore të regjimit.
Z. Meta, si e vlerësoni protestën e djeshme të opozitës?
Ilir Meta: Si triumf të guximit qytetar mbi panikun e juntës policore të regjimit. Fakti se që në agim të ditës, Ministrja, që nuk i lejohet të merret me policinë, por vetëm me adresat, paralajmëroi se policia nuk merrte përsipër mbarëvajtjen e protestës që e ka detyrim kushtetues e ligjor, paralajmëroi përshkallëzimin e presionit dhe dhunës ndaj protestuesve.
Dhe foto kryesore e protestës së mbrëmshme ishte plumbi në ballin e një zonje, pedagoge nga Shkodra.
Pra Rama e nisi dje ditën duke u fshehur pas deklaratës së një gruaje dhe e “kulmoi” duke goditur me plumb në ballë një grua të nderuar, e cila të hënën do të dalë para studentëve të saj me ballin e gjakosur.
Kjo ishte “risija” e djeshme.
Ndërkohë që banditët pa uniformë dhe kapuçëzinj që rrëmbenin qytetarë kot në rrugë, ishin fiks si tontonmakutët e diktatorit Dyvalje në perëndim të regjimit të tij mizor.
Si do ndikonte miratimi i ndryshimit të Kodin e Procedurës Penale? A do ta mbronte kjo Ramën nga drejtësia? Miratimi i nenit “Rama” do të ishte funeral publik i vetë Ramaformës të sotme.
Pra Rama do i bënte me duart e tij funeralin “suksesit më historik” në mbi 110 vjet shtet sipas tij që ishte pikërisht kapja e plotë e drejtësisë nga ai.
Funerali i parë që iu bë reformës që u miratua me 140 vota ndodhi hap pas hapi, tinëzisht dhe në një hark kohor prej 4 – 5 vitesh dhe nuk ishte i lehtë për t’u kuptuar nga publiku i gjerë dhe ai ndërkombëtar, që ishte nën influencën e McGonigalëve, Mogerinëve e një tabori të tërë sorosistësh.
Hapi i parë i funeralit të parë ishte zgjedhja antikushtetuese e Prokurores së Përgjithshme me 69 vota nga 84 vota që e përcaktonte Kushtetuta që u votua me 140 vota.
Përmes këtij akti antikushtetues u kap zinxhiri e gjithë struktura e re e hetimit me KLP, SPAK etj.
Hapi i dytë, ishte bllokimi i Komisionit të Emërimeve në Drejtësi për gati 3 vite, që e la Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese derisa të dilte KED e Ramës.
Hapi i tretë ishte kapja e Gjykatës Kushtetuese përmes falsifikimeve të KED, që çoi në përplasjen e pashmangshme dhe të paralajmëruar nga unë si President i Republikës, jo vetëm me Ramën, por edhe me skotën e diplomatëve të korruptuar që e mbështesnin në mënyrë ordinere planin e tij shkatërrues për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave në tërësi.
Kjo përplasje i çoi deri te skandali i betimit te noterja te Lana.
Më pas për ta ligjëruar këtë “novitet” të padëgjuar më parë, përgatitën ligjin antikushtetues të “betimit te Lana”. Pra shmangien e betimit para Presidentit të Republikës.
Kjo më detyroi mua si President i Republikës t’i bëja thirrje popullit për mitingun e 2 Marsit 2020.
Suksesi i atij mitingu historik i zbythi puçistët nga miratimi i projektligjit në Kuvend.
Por me durim, ata edhe pa atë ligj i realizuan objektivat e tyre për kapjen e plotë të institucioneve të drejtësisë.
Kështu u krijuan kushtet e plota për telenovelën që unë e pagëzova “Drejtësi me Regji”.
Nuk dua të zgjatem këtu, pasi shndërrimit të Reformës në Ramaformë do i kushtoj një libër të tërë dhe filma do bëhen në të ardhmen për një nga operacionet më manipuluese në historinë e popujve që orkestroi banda sorosiane, që kryeaxhendë të saj ka zotërimin e Shqipërisë duke e shpopulluar nga shqiptarët.
Por pse Rama tani do t’i bëjë funeralin Ramaformës?
Sepse nga siguria e plotë që kishte nga kontrolli absolut i drejtësisë së re, u lëshua pa frena drejt një korrupsioni skizofrenik ku përfshiu edhe shumë ndërkombëtarë.
Si i tha McGonigali mikut të tij?
Kryeministri Rama po bën një Reformë në Drejtësi që ofron mundësi shumë të mira.
Dhe se kishte gabim, por rrugës ndodhin dhe “aksidente”. Janë pjesë e jetës.
Pastaj shpërthyen përgjimet sky-enchrochat të cilat sado u selektuan këtu, prapë ekspozuan qartë se si funksiononte organizata kriminale.
Pastaj ca telefona andej e ca video këtej dhe “pusetat” e korrupsionit shpërthyen ngado.
Ahmetaj që ishte llogaritur për kokë turku e statistikë, për t’i vënë kapakun inceneratorëve, “çau ferrën” dhe u kthye në denoncuesin publik të organizatës kriminale, ku çdo denoncim u provua, nga AKSHI e tuneli i Llogarasë e deri te vera 33 mijë euro.
Natyrisht në krye të këtij demaskimi ka qenë opozita që nga afera e inceneratorëve që ende paguhen, AKSH-i, rrugët e “florinjta” që më parë prishen se inagurohen e me rradhë.
Edhe “Diella” që do shërbente si fanar ndriçues edhe për përparimin teknologjik të njerëzimit, u bë objekt talljeje në shtypin botëror, përveçse doli se ishte “pjellë” e një grupi të strukturuar kriminal që rrëmbente biznesmenë.
Kështu që belatë u shtuan kaq shumë sa masha e drejtësisë së pavarur nuk mund të mbahej më.
Ndaj u shpik neni Rama me urgjencë.
Ndaj u bë edhe avokat i Mirlindës duke i bërë thirrje stafit që prodhoi “Diellën” për unitet e besnikëri se pafajësinë e drejtoreshës e garantonte ky.
Madje do u shtonte rrogat që të mbyllnin gojën.
Ndërkohë kantina e Gysit vazhdon të shëtisë sa nga Surreli në Durrës dhe Elbasan.
Ndërkohë mbi 300 fletë arresti flenë në sirtarët e SPAK-ut, sepse i pari që duhej të arrestohej është Proda, Kreu i Narkopolicisë.
Dhe fajin e ka opozita që i është mohuar çdo e drejtë në Parlament, që i është bllokuar çdo Komision hetimor, që i rrëzohen projektligjet që çon në interesin publik, që iu rrëmbye edhe drejtimi i Komisionit të Integrimit Europian.
Fakti që Shqipëria ka rënë 11 vende në vitin e fundit nga Transparency International, mjafton për të kuptuar pikiatën e shtetit të së drejtës, të llogaridhënies, të demokracisë, të prodhimit, të eksporteve, të industrisë, të bujqësisë, të produktivitetit, të cilësisë të kapitalit njerëzor e çdo treguesi tjetër përfshirë edhe konvergjencën reale me standartet europiane.
Kjo ndodh se ka shkuar në zenith korrupsioni, kriminalizimi i shtetit, Qeverisë, ekonomisë dhe shoqërisë.
Ndaj fryma e protestave do vijë në rritje të pandalshme, sepse populli shqiptar është vendosur në kushtet e vetëmbrojtjes së pashmangshme nga një regjim-bandë.
Nuk ka më nen që i bën derman Ramës.
Nuk ka asnjë shtet dhe fuqi që t’i dali për zot Edi Ramës tani që shqiptarët kanë vendosur t’i dalin zot vetes së tyre dhe vendit të tyre. Që të mos goditen me plumb në ballë sepse protestojnë, që të mos vidhen çmendurisht.