Gazi lotsjellës ndaj xhamisë/ Reagon KMSH: E dënojmë me vendosmëri, besimtarët e pafajshëm u lënduan pa shkak

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi me indinjatë pas skandalit të ndodhur mbrëmjen e 20 shkurtit në Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë. Policia hodhi gaz lotsjellës drejt Xhamisë dhe besimtarëve, teksa protestuesit e opozitës ende nuk kishin mbërritur tek Parlamenti. Madje në pamjet e siguruara nga Syri TV, duket sesi Policia hedh bomba gazi në drejtim të xhamisë dhe nga brenda saj duke detyruar besimtarët që të largohen për t'i shpëtuar helmimit.  

Shiko videon - SKANDAL/ Video - Policia ‘mbyt’ me gaz besimtarët në Xhaminë e Namazgjasë ku ka fëmijë, gra e të moshuar

Në një komunikatë zyrtare, komuniteti dënoi fuqishëm ngjarjen dhe bëri thirrje për maturi dhe respekt të të drejtave dhe lirive fetare.

Lexo dhe: Besimtarët u bllokuan në xhami nga gazi lotësjellës, dëshmia: Nuk dilnim dot, po na binte të fikët...

Mesazhi:

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.

Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike.

Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.

Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.