Berisha: Nuk duhet të pranojmë kurrë një kufomë politike në pushtet duhet të angazhohemi ta largojmë sa më shpejt
Kryetari i PD-së, ka theksuar se protestat paqësore të opozitës janë një kauzë e drejtë dhe një angazhim i pandalshëm për të rrëzuar qeverinë aktuale të Edi Ramës. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha ka theksuar se nuk duhet të pranohet asnjëherë një "kufomë politike" në pushtet, duke u angazhuar për ta larguar sa më shpejt.
Ai ka krahasuar këtë luftë me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, duke nënvizuar se Edi Rama është politikisht i vdekur dhe se pasiguria e tij do të marrë fund sa më shpejt.
Berisha ftoi qytetarët të shndërrojnë protestat në një çështje nderi dhe dinjiteti për të mbrojtur interesat e vendit, duke e cilësuar këtë si një betejë për shpëtimin e Shqipërisë dhe të ardhmen e brezave të saj.
Fjala e tij:
Fatos Doçi: Dhe sa do vazhdojmë me protesta paqësore është pyetja ime doktor, sikur ti fusim pak adrenaline të kopjojmë nga protestat paqësore që bënte Rama dikur?
Sali Berisha: Dallimi është i jashtëzakonshëm. Edi Rama i kishte për kauza të padrejta, ne i kemi për kauzë të drejtë dhe adrenalina jonë është persistenca, ne nuk heqim dorë deri në rrëzimin e tij.
Edhe njëherë Fatos, ne të gjithë duhet ti shndërrojmë këto protesta në çështje nderi dhe dinjiteti për çdo qytetar, që nuk pajtohet me vjedhjen, me poshtërimin e tij dhe të Shqipërisë.
Që nuk pajtohet me rrokullisjen e madhe demografike të këtij vendi, boshatisjen e tij. Por duhet ti shtrojmë këto protesta në çështje interesi themelor të çdo shqiptari, që nuk pajtohet me vjedhjen e pasurive të tij. Nuk pajtohet me padrejtësitë që i bëhen, nuk pajtohet me faktin se fëmijët e tij detyrohen të largohen nga Shqipëria.
Mendoj se ne duhet të punojmë fort në dy fronte dhe ky front i dytë është jashtëzakonisht për fitoren tonë.
Mos harroni se, e thashë dhe dje, e them prap dhe sot. Në qoftëse se Enver Hoxha shtatorja e tij u rrëzua në shkurt të 1991, ai kishte vdekur në vitin 1985. Pra u deshën 5 vjet për të shembur atë shtatore.
Edi Rama është i vdekur politikisht. Nuk duhet të pranojmë kurrë një kufomë politike në pushtet duhet të angazhohemi ta largojmë sa më shpejt.