Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Donald Trump firmos tarifë globale 10% për të gjitha mallrat e importit

Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave shtesë prej 10% mbi importet nga të gjitha vendet, në vijim të vendimit të Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme shumë nga tarifat që ai kishte vendosur më herët ndaj partnerëve tregtarë të Uashingtonit.

Donald Trump e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në platformën Truth Social, duke deklaruar: “Është një nder i madh për mua që sapo nënshkrova në Zyrën Ovale një tarifë globale 10% për të gjitha vendet, e cila do të hyjë në fuqi pothuajse menjëherë”.

Për herë të parë, presidenti amerikan iu referua Nenit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i jep të drejtën presidentit të vendosë tarifa deri në 15% për një periudhë deri në 150 ditë, pa miratimin paraprak të Kongresit.

“Nuk kam nevojë të pyes Kongresin për tarifat”, theksoi ai të premten, duke shtuar se të ardhurat nga tarifat “do të rriten”. Sipas tij, tarifat “globale” prej 10% do të jenë në fuqi për pesë muaj dhe do t’u shtohen atyre ekzistuese.

I pyetur nga gazetarët nëse SHBA-të do të duhet të kthejnë shumat e mbledhura gjatë vitit 2025 nga tarifat që u shpallën të paligjshme, Trump u përgjigj se nuk është e qartë nëse do të ketë kompensime. “Përfundimisht do të jemi në gjykata për pesë vitet e ardhshme”, u shpreh ai.

Lëvizja e Shtëpisë së Bardhë vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme shumë nga tarifat e mëparshme të vendosura ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-ve.

Më herët, presidenti kishte sulmuar ashpër Gjykatën Supreme, duke deklaruar: “Më vjen turp për disa anëtarë të saj që nuk patën guximin të bëjnë atë që është e drejtë për vendin tonë”.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai akuzoi gjyqtarët për “qëndrim jopatriotik dhe mosbindje ndaj Kushtetutës sonë”, duke pretenduar gjithashtu se “iu nënshtruan ndikimeve të huaja”.

Nisma e re e Trump thellon përplasjen me pushtetin gjyqësor dhe hap një cikël të ri pasigurie politike dhe ligjore rreth politikës tarifore të Shteteve të Bashkuara.