Barcelona mbyll marrëveshjen për Tavares, talenti transferohet nga Norwich City
Barcelona vijon të investojë te të rinjtë premtues dhe ka realizuar një tjetër goditje për të ardhmen. Pas javësh procedurash burokratike, klubi katalanas ka përfunduar zyrtarisht transferimin e Ajay Tavares, sulmues ofensiv i lindur në 2009, i ardhur nga Norwich City.
Marrëveshja verbale ishte arritur që në janar, por vetëm tani është finalizuar plotësisht. Tavares, pjesë e kombëtares angleze Under 17, ka zgjedhur projektin ‘blaugrana; pavarësisht interesit të fortë të disa klubeve gjermane, përfshirë Leipzig-un, të tërhequra nga potenciali i tij dhe mundësia për ta integruar shpejt në akademitë e tyre. Diferencën e bëri plani i zhvillimit të prezantuar nga Barcelona.
Talenti britanik do të arrijë në Barcelonë të dielën, ndërsa vizita mjekësore është planifikuar për të hënën. Tavares, që mund të luajë si sulmues krahu i majtë apo edhe si qendërsulmues, do të forcojë Barça Atlètic. Me ardhjen e tij, pas atyre të Onstein, Pacífico dhe Abdelkarim, kompletohet grupi i ri i rinovimeve për skuadrën B, e cila do të ndërtojë ciklin e ardhshëm të talentëve të destinuar për ‘Camp Nou’.