Mesazh tronditës për familjen Westbrook: Shpresoj të vdisni në një aksident me makinë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e basketbollit amerikan, pasi bashkëshortja e ‘yllit’ të NBA-së, Russell Westbrook, ka bërë publik një mesazh kërcënues që familja e tyre mori pas një basti të humbur.
Sipas rrëfimit të Nina Westbrook, një person që kishte vendosur bast mbi paraqitjen e Westbrook në një ndeshje të Sacramento Kings gjatë sezonit të rregullt, i dërgoi një email me përmbajtje fyese dhe kërcënuese pasi humbi paratë.
Mesazhi përmbante ofendime të rënda ndaj basketbollistit dhe përshkallëzohej deri në kërcënime për jetën e tij dhe të familjes. Në një pjesë të mesazhit shkruhej: “Burri yt i pavlerë është një plehrë… Shpresoj që të dy të vdisni në një aksident me makinë.”
Nina Westbrook vendosi ta bënte publik mesazhin për të ekspozuar atë që e quajti “ana e errët” e kulturës moderne sportive dhe zgjerimit të shpejtë të basteve sportive. Ajo theksoi se fenomeni i basteve po nxjerr në pah anën më të keqe të disa individëve: “Efektet negative të basteve sportive nxjerrin në pah më të keqen te njerëzit,” shkroi ajo në një reagim publik.
Ngjarja ka rindezur debatin mbi kufijtë mes tifozit, bastvënësit dhe abuzimit verbal apo kërcënimeve, në një kohë kur bastet janë gjithnjë e më të pranishme në transmetimet sportive dhe në përvojën e tifozëve. Sportistët, megjithatë, nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për bastet individuale të vendosura mbi performancat e tyre, ato janë pjesë e garës sportive dhe jo një kontratë me ata që vënë baste mbi statistikat.
Për Westbrook, 37 vjeç, ky nuk është rasti i parë i përballjes me sulme personale. Gjatë periudhës së tij me Los Angeles Lakers, ai dhe familja e tij u përballën me kritika të ashpra dhe nofka fyese nga tifozët, gjë që ndikoi drejtpërdrejt edhe në jetën private.
Siç kishte deklaruar më parë lojtari: “Nuk dua t’i sjell fëmijët e mi në palestër, sepse nuk dua që të dëgjojnë njerëzit duke më thirrur me nofka. Ka ardhur në një pikë ku familja ime nuk dëshiron më të vijë në ndeshje.”