Halli i Ramës dhe halli i Kosovës

Në sytë e adhuruesve dhe mbështetësve të vet Edi Rama shkëlqeu me fjalimin e vet në Bordin e Paqes, për Rripin e Gazës, në Washington DC më 19 shkurt 2026 - elokuent, substancial, inteligjent, kurajoz-veçanërisht lidhur me shqetësimin që ngriti për akuzën e turpshme të Prokurorisë Speciale dhe vendimin e mundshëm të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, kundër katër liderëve të UÇK dhe lutjes ndaj Presidentit Trump për të bërë diçka, sa nuk është vonë, ndaj atij institucioni turpi, financuar e mbështetur nga demokracitë perëndimore, përfshire ShBA.

Rama ishte i ndërgjegjshëm se trajtimi i tij nga Trump do të ishte ftohtësisht protokollar e kjo veçse do rikonfirmonte tezën se nuk i ka fare mirë punët me administratën e këtij presidenti, komplet ndryshe nga ç’i kishte me paraardhësen. Në pararendje të këtij aktiviteti, edhe thënia e Ramës në Parlamentin e Shqipërisë se nuk ‘shkoi në Davos se mirëpriti të bijën me lejen e babait’ apo ‘se nuk do e marrin amerikanët me helikopter si Maduron por do e presin e përcjellin, me makina policie e plot nderime fill e për tek Shtepia e Bardhë’ flasin për ankthin e Edi Ramës për këto raporte të ftoha por edhe mbahen shënim nga ajo administratë si deklarime të papjekura dhe/ose provokative të tij.

Në fakt, ftohtësia e Trump ndaj Ramës ra në sy që në momentet e para kur u shtrëguan duart në fillim të ceremonisë, më pas kur Trump, në fjalimin e vet i mori me radhë të gjithë liderët prezent, e ndërsa secilit nuk ia kurseu komplimentet dhe falënderimet, Ramën, më të cilin e filloi, (për shkak të alfabetit-Albania), e prezantoi fare, fare thatë.

Ndaj Rama ishte parapërgatitur me atë fjalim provokativ, me synimin që t’i binte me patjetër në sy e të merrte pashmangshmërisht vemendjen e Trump ndërsa shqiptarët ta merrnin për trim liberator. Ngulmimi i tij edhe në mbylljen e ceremonisë për tu pozicionuar fill mbas shpatullave të Trump e deri tek rrahja që i bëri atyre shpatullave, a thua se kishin njohje të vjetër dhe intimitet, të gjitha kishin veçse synimin e shfaqes sa më mirë në sytë e gjithë bashkëkombësve, shqiptarëve të Shqipërisë më së pari.

Si rregull, cilido që në një aktivitet me axhendë të paracaktuar ngre çështje jashtë saj, bëhet bezdisës edhe për organizatorët edhe për participatoret. Natyrisht, çështja që ngriti Rama është e rëndësishme për gjithë shqiptarët, për Kosovën dhe për Shqipërinë, por edhe liderët e kombeve të tjera, secili e ka të paktën një hall të madh, por asnjë nuk ngriti ndonjë çështje të kombit a shtetit të vet në atë mbledhje, sepse duhet respektuar axhenda ndërsa hallet e tjera kanë rrugë të tjera bilaterale a multilaterale për t’u trajtuar.

Në një farë mënyre Rama i foli Presidentit Trump dhe gjithë të tjerëve me atë shprehjen e paedukatë: ‘Ta dini ju hallin tonë i harroni hallet e Gazës për të cilat jeni mbledhur, dhe tuajat njëherazi’. Ndaj, besoj se ngritja e asaj çështjeje në atë forum ishte tërësisht e pavend nga këndvështrimi i organizatorëve dhe participatorëve.

Gjithashtu ajo çështje, e ngritur në atë mënyrë dhe me kërkesë të personalizuar tek Trump-aq me shumë duke ia personalizuar lidhjen me prokurorin Smith, e vë edhe vetë Trump në vështirësi se ai, hall të ndërhyjë në vendimet e një gjykate-de facto ndërkombëtare, de jure kosovare - hall të mos ndërhyjë në parandalimin e asaj padrejtësie që mund të ndodhë nga ajo farë gjykate e, për më tepër, e ngritur në atë podium e në atë mënyrë nga Rama zor se miqëson qëndrimin e fuqive të tjera perëndimore e zor se zbut qëndrimin e atyre gjykatësve.

Së fundmi, edhe rrahja e shpatullave të Trump nga Rama është gjest që vlerësohet negativisht në ato ambiente, sepse nuk pranohet si sjellje e rregullt kur ‘ i vogli ia rreh të madhit shpatullat’ qoftë si madhësi shtetesh e qoftë si diferencë moshe e individëve, ndërsa e kundërta edhe mund të pranohet. Po kështu, konfuzioni që shkaktoi duke mos e përmendur me emër të përveçëm Presidentin Thaçi saç është provokativ aq është edhe kundërproduktiv.

Mundet që Rama nuk i di këto - do të thotë që është ende adoleshenti që i ka qëlluar të ketë fat të shumtë dhe fuqi të madhe që e keqpërdor rregullisht por nëse i di, siç prirem të besoj se është e vërteta, atëhere i ka bërë duke menduar vetëm hallin e vet-si t’i hedhë trutë e gomarit një pjese të shqiptarëve -  e jo hallin e gjithë shqiptarëve, qoftë të Kosovës e qoftë të Shqipërisë, me atë proces absurd të asaj prokurorie e asaj gjykate, ose ose, mendon se, tek e fundit, ç’ka për të ngjarë është paravendosur, për mirë a keq, ndaj nga ndërhyrja e tij as vjen qar as vjen qeder shtesë por,  nëse do ndodhë e mira ai do mund të mburret për rolin e vet përcaktues e nëse vjen e keqja ai do mund të thotë se bëri ç’kishte në dorë.

Halli i Kosovës është i vërtetë dhe shumë, shumë i madh. Njësoj për ne shqiptarët e Shqipërisë dhe gjithë bashkëkombësit. Dëmi  i asaj prokurorie dhe asaj gjykate është i shumëfishtë tashmë. Ajo prokurori dhe ajo gjykatë ka dështuar apo ka shmangur të hetojë e ndëshkojë efektivisht krimet e serbëve të Kosovës e të Serbisë në Kosovë; ajo prokurori dhe ajo gjykatë ka dështuar apo ka shmangur të hetojë e ndëshkojë kosovarët që realisht kanë kryer krime e vetëgjyqësi në ato muajt e luftës dhe disa muaj pas luftës, kur Kosova ishte çliruar.

Tashmë ajo prokurori, duke akuzuar katër krerët e UÇK për ‘krime kundër njerëzimit si ndërmarrje kriminale’, me prova dhe indicie indirekte e të dyshimta e duke e trajtuar këtë si vijë sjelljeje të UÇK po njollos dhe ndëshkon vetë luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe po vë, biles po e tejkalon, shenjën e barazimit me krimet monstruoze dhe etni-spastruese të serbëve e Serbisë në Kosovë. Gjithashtu, të paktën deri tani, ajo gjykatë, duke miratuar dyshimin e arësyeshëm të prokurorisë mbi kësi provash e argumentesh e duke i mbajtur në arrest preventiv prej më shumë se 5 vitesh katër krerët-si rrëmbim personi duket kjo tashmë - tregon se priret më shumë në favor të qëndrimit të prokurorisë se sa të mbrojtjes.

Nëse ajo gjykatë i dënon kreret e UÇK me ato cilësime, njolla mbi luftën çlirimtare të shqiptarëve, mbi UÇK dhe Kosovën bëhet legale ndërkombëtarisht. Në këto rrethana do të jemi përpara një paradoksi: populli i Kosovës, si Sovrani i atij vendi, përmes përfaqësuesve të vet në Kuvend, ka legjitimuar solemnisht, si pjesë të strukturës gjyqësore të Kosovës atë prokurori dhe atë gjykatë dhe rezulton se po ai popull e ai shtet, nga një anë i thur lavde luftës dhe luftëtarëve nga ana tjetër, po me dorën e vet, e njollos dhe e damkos atë luftë dhe ndëshkon luftëtarët e vet.

Nga ky absurd, në origjinën e tij, veçohen Albin Kurti, Vetëvendosja dhe disa personalitete kosovare e shqiptare që ishin qartësisht kundër ngritjes së asaj prokurorie e gjykate dhe parashikuan, thuajse në mënyrë profetike, ardhjen e këtij absurdi. Të tjerët janë bashkëfajtorë, Thaçi e Rama solidarë.

Ky absurd duhet parandaluar ende pa ndodhur përfundimisht, minimalisht mjaftueshëm nëse lihet të trajtohet fill pasi të këtë ndodhur vendimi i asaj gjykate (larg qoftë) dhe shumë, shumë keq nëse nuk trajtohet fare. Turp e marrëzi. Zgjidhja e vetme: me referendum popullor dhe miratim parlamentar apo nga një asamble kushtetuese, asaj prokurorie dhe asaj gjykate i hiqet statusi juridiksional kosovar-nuk mund të jenë juridikisht pjesë e Republikës së Kosovës. Nëse ndërkombëtarët e kanë ndarë mendjen ta mbajnë vetë atë prokurori, atë gjykatë dhe atë turp, punë e tyre e s’kemi ç’t’iu bëjmë. Por atë që e kemi në dorë ta bëjmë duhet të bëjmë me doemos.

Në ndërkohë, duhet të vijojnë edhe demonstratat popullore edhe përpjekjet e përbashkëta në të gjitha kanalet diplomatike, bilaterale dhe multilaterale, por në kohën dhe vendin e duhur e me argumentet e duhura.

Jo për hall të Ramës.