Del videoja e re e vrasjes së John F. Kennedy. A kishte një qitës të dytë?

Një filmim i paqartë 8mm, që thuhet se është mbajtur i fshehur nga autoritetet federale për dekada, mund të ndryshojë gjithçka rreth vrasjes së presidentit John F. Kennedy dhe të provojë se kishte një qitës të dytë në kodrën e famshme me bar, sipas raportimeve të National Examiner.

Riparuesi i kondicionerëve nga Dallasi, Orville Nix, e filmoi ngjarjen me 22 nëntor 1963, në Dealey Plaza. Pamjet tregojnë një figurë të errët pas një gardhi në kodër, pikërisht aty ku shumë dëshmitarë thanë se dëgjuan të shtëna, sipas New York Post.

Ndërsa filmi i famshëm i Abraham Zapruderit tregon momentin kur Kennedy u godit në kokë, Nix ndodhej në anën tjetër të rrugës dhe e drejtoi kamerën drejt kodrës me bar. Në pamjet e tij shihet edhe Zonja e Parë, Jacqueline Kennedy Onassis, duke u ngjitur mbi pjesën e pasme të limuzinës presidenciale, me gardhin në sfond.

Filmi origjinal, i gjeneratës së parë, nuk është parë që nga viti 1978, kur u dërgua për analizë në një kompani në Los Anxheles dhe dyshohet se u sekuestrua nga autoritetet federale, të cilat tani thonë se nuk e kanë më në zotërim.

Nix vdiq në vitin 1972, por mbesa e tij, Linda Gayle Nix Jackson, ka ngritur padi kundër qeverisë amerikane për të rikuperuar filmin e humbur. Ajo pretendon se ai mund të vlejë deri në 900 milionë dollarë, sepse mund të provojë përfundimisht se Lee Harvey Oswald nuk veproi i vetëm në vrasjen e JFK. Një gjykatës ka vendosur që çështja e saj të vazhdojë, ndërsa qeveria këmbëngul se nuk e posedon filmin origjinal.

Gjatë gjashtë dekadave të fundit, pamjet e Nix-it thuhet se kanë kaluar në duart e FBI-së, United Press International, Kongresit amerikan dhe kompanisë Aerospace Corporation, e cila pretendon se e ktheu filmin në Arkivin Kombëtar pas përfundimit të analizës.

Vlera historike e këtyre pamjeve mund të jetë e pallogaritshme. Ato mund të mbështesin përfundimet e raportit të vitit 1978 nga United States House Select Committee on Assassinations, i cili arriti në përfundimin se Kennedy "me shumë gjasa u vra si rezultat i një komploti".

"Nix është i vetmi film i njohur që ka kapur zonën e kodrës me bar në Dealey Plaza në momentin e atentatit," thotë avokati Scott Watnik, përfaqësues i Jackson-it.

Sipas tij, teknologjia moderne mund ta përmirësojë ndjeshëm qartësinë e pamjeve: "Sot mund të zbulojmë detaje që ishte e pamundur të shiheshin kur filmi u analizua në vitin 1978." / National Examiner – Syri.net