Denoncime në rrjete sociale për persona të dyshimtë pranë fëmijëve, raportohen disa raste edhe në Tiranë

Kohët e fundit janë shtuar raportimet dhe shqetësimet nga prindërit lidhur me tentativa të dyshuara për rrëmbim fëmijësh, si në shtetin fqinj Itali ashtu edhe në Shqipëri.

Në ditët e fundit, disa nëna kanë ngritur alarmin në rrjetet sociale, duke denoncuar raste kur persona të panjohur u janë afruar fëmijëve të tyre në ambiente publike, pranë shkollave, marketeve apo zonave të banuara.

Sipas dëshmive të publikuara, një nga rastet e raportuara përfshin një grua të moshës rreth 45–50 vjeç, me flokë të zinj dhe të shkurtër, e veshur me rroba me ngjyrë të errët, çizme dhe fund të zi. Dëshmitarët pretendojnë se ajo është afruar pranë fëmijëve apo prindërve, duke qëndruar për disa minuta në zonë dhe duke ndryshuar lëvizje kur ka vënë re praninë e të rriturve të tjerë.

Disa prindër pretendojnë se e njëjta grua është parë duke qëndruar pranë një automjeti të parkuar më tutje, ndërsa në disa raste është raportuar edhe për persona të tjerë të dyshimtë që qëndronin në afërsi.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndonjë rast të provuar rrëmbimi lidhur me këto raportime, por u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë pranë organeve kompetente.

ITALI:

Apel për prindërit:

Mos i lini fëmijët pa mbikëqyrje në ambiente publike.

Informojini fëmijët të mos komunikojnë me persona të panjohur.

Raportoni menjëherë çdo sjellje të dyshimtë tek autoritetet.

Qëndroni vigjilentë, veçanërisht në oraret e hyrje-daljeve nga shkolla.

Kujdesi dhe reagimi i shpejtë mund të parandalojnë situata të rrezikshme.