Mourinho flet pas polemikave: Nuk ka qenë e lehtë të menaxhonim atë që ka ndodhur
Trajneri portugez, José Mourinho, ka thyer heshtjen para ndeshjes mes Benfica-s dhe AVS Futebol SAD, duke dhënë dy deklarata të shkurtra për televizionin zyrtar të klubit. Ai analizoi gjendjen e skuadrës pas sfidës së fundit kundër Real Madridi dhe u ndal te vështirësitë emocionale që pasuan atë përballje.
Sipas Mourinhos, ndeshja me Realin ishte jashtëzakonisht kërkuese në çdo aspekt. Ai theksoi se deri rreth minutës së 50-të skuadra zhvilloi një duel me intensitet maksimal, si në planin fizik ashtu edhe në atë taktik, duke kërkuar përqendrim të plotë në çdo moment. Trajneri pranoi se pas asaj pjese të lojës situata u bë e vështirë për t’u menaxhuar emocionalisht.
“Duhet të them se nga ajo minutë e tutje dhe deri tani nuk ka qenë e lehtë ta përballonim atë që ndodhi dhe atë që vazhdon të ndodhë. Megjithatë, kemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme dhe duhet të përqendrohemi për të dhënë maksimumin”, u shpreh ai.
Në aspektin e formacionit, Mourinho konfirmoi mungesa të rëndësishme. Gianluca Prestianni është i pezulluar, ndërsa Fredrik Aursnes nuk do të jetë i gatshëm për këtë takim. Sipas trajnerit, mesfushori duhet të pushojë dhe shpresa është që ai të rikuperohet në kohë për ndeshjen e ardhshme në Madrid.