NBA merr masa, reformë e re për të ndaluar humbjet e qëllimshme
NBA pritet të ndërmarrë masa të reja për të luftuar fenomenin e njohur si “tanking”, praktikë përmes së cilës skuadrat humbin qëllimisht ndeshje për të siguruar pozita më të favorshme në draft.
Komisioneri Adam Silver është takuar me menaxherët e përgjithshëm të ekipeve për të prezantuar një reformë që synon të hyjë në fuqi nga sezoni i ardhshëm.
Në vitet e fundit, fundi i sezonit të rregullt është kritikuar shpesh, pasi disa skuadra pa objektiva për play-off kanë preferuar të përfundojnë sa më poshtë në renditje.
Kjo u jep atyre më shumë shanse për të përzgjedhur lojtarët më të talentuar në draft, duke ndikuar negativisht në konkurrencën sportive dhe në interesin e tifozëve.
Fenomeni i “tanking” është konsideruar si një nga arsyet e rënies së popullaritetit në disa segmente të sezonit.
Reforma e propozuar synon të ruajë integritetin e garës dhe të sigurojë që çdo ndeshje të mbetet konkurruese deri në fund.
Detajet e plota të ndryshimeve ende nuk janë bërë publike, por drejtuesit e NBA-së po kërkojnë mënyra për të balancuar sistemin e draft-it me nevojën për një kampionat më të drejtë dhe më tërheqës për publikun.