Ortekët e dëborës bllokojnë rrugën, ndalohet qarkullimi i automjeteve në aksin Qafë Thore-Theth
Qafa e Thorës është përballur sot me situatë të rrezikshme pas grumbullimit të borës dhe ortekëve që kanë bllokuar rrugën kryesore, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Sipas raportimeve nga terreni, reshjet e borës gjatë natës dhe temperaturat mbi zero kanë rritur aktivitetin e ortekëve, duke e bërë situatën edhe më kritike.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat mbi zero shkaktojnë shkrirjen e borës në majat e malit, duke shtuar rrezikun e rrëshqitjes dhe formimit të ortekëve, një problem i cili në këtë aks është bërë kronik.
Drejtuesit e automjeteve paralajmërohen të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin kalimin në këtë aks në mungesë të masave sigurie, ndërkohë që banorët kërkojnë nga qeveria qendrore dhe Bashkia ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur pasoja të rënda.