Përmbytje në Rrugën e 'Pyllit të Sodës', banorët dhe automjetet bllokohen nga uji
Rruga e 'Pyllit të Sodës' ka përfunduar e bllokuar si pasojë e grumbullimit të ujit, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe kalimin e këmbësorëve.
Situata problematike ka nisur pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë bërë që disa segmente të rrugës të mbulohen plotësisht nga uji.
Banorët e zonës shprehen shqetësimin e tyre për mungesën e ndërhyrjes nga autoritetet vendore, duke theksuar se problematika është bërë kronike dhe rrezikon sigurinë e komunitetit.
“Uji ka mbuluar asfaltin, dhe çdo përpjekje për të kaluar me makinë ose këmbë bëhet e rrezikshme. Kjo situatë nuk është e pranueshme, pasi askush nuk po merr masa për të parandaluar përmbytjet e vazhdueshme,” tha një banor i zonës për media.
Nga vëzhgimet në terren rezulton se kanalizimet dhe sistemet kulluese të rrugës nuk janë të pastruara dhe nuk përballojnë sasinë e ujit që ka rënë gjatë reshjeve të fundit.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia dhe institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet më tej nëse nuk ndërmerren masa parandaluese.
Ata kërkojnë pastrim të kanaleve kulluese dhe rikonstruksion të segmentit të rrugës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të automjeteve që kalojnë çdo ditë.