'Roli në 'Bordin e Paqes' i pallogaritshëm'/ Andoni: Rama aktor fare i padukshëm në mjedisin ndërkombëtar

Gazetari dhe analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, ka kritikuar mënyrën se si po paraqitet publikisht përfshirja e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, duke e cilësuar të tepruar glorifikimin e rolit të Edi Rama.

Sipas Andonit, ndonëse shqiptarët kanë një detyrim historik ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në raport me Kosovën, roli real i Ramës në këtë bord është “gati i papërfillshëm” në arenën ndërkombëtare.

Analisti ngriti shqetësime serioze për mungesën e transparencës, duke theksuar se publiku nuk është informuar për detyrimet konkrete të Shqipërisë. Ai deklaroi se, ndryshe nga sa është thënë zyrtarisht, Shqipëria do të përfaqësohet me një trupë të karakterit policor, një vendim që sipas tij duhej të ishte bërë publik.

Andoni vuri në dukje gjithashtu mungesën e vendeve kyçe europiane si Franca dhe Gjermania, si dhe refuzimin e Kanadaja për t’iu bashkuar nismës, duke e cilësuar qasjen e Shqipërisë si unilaterale.

Në fund, ai paralajmëroi se fokusi te protagonizmi politik ka lënë në hije zhvillime më shqetësuese, si sinjalet për një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në Kosovë dhe pasojat afatgjata për rajonin.

Andoni: 

Ndoqa pak parafolësin me të drejtë shqetësimi i tij është real domethënë, kjo pjesa patetike e një pjese të kolegëve tanë që mundohen të ngrenë jashtëzakonisht performancën e tij, është jashtëzakonisht e tepruar në mendimin tim. Por bordi, kini parasysh që ka probleme për të ardhmen, të themi gjeostrategjike të vendit tonë. Është e vërtetë detyrimi historik që kemi për shtetformimin ne shqiptarët ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është, është i jashtëzakonshëm. Dhe duke shtuar me realitetin e dytë shqiptar të shekullit të 21, Kosovën, shtohet akoma më shumë. Por më besoni që roli i Ramës është gati i papërfillshëm në këtë bord. Personalisht më vjen keq për diçka. Po më vjen keq për diçka Flavio.

Mungesën totale të transparencës. Është e paimagjinueshme që ne shqiptarët nuk dimë gjë për shembull që, çfarë detyrimi kanë shqiptarët realisht në këtë bord. Në vëmendjen tuaj dua t'ju them një element. Zoti Rama dhe të tjerë e kanë shmangur këtë pjesën e, të themi, kontributit tonë real në këtë bord. Ju e dini që masa fillestare e mbështetjes të 20 vendeve të cilat ishin të parat që firmosën dokumentin, ishte që të ngrihej një fond prej 7 miliardësh.

Në fillim thuhej që çdo vend duhet të kontribuonte të paktën me një sasi të caktuar dhe zoti Rama thoshte që Shqipëria s'nuk ka asnjë detyrim të tillë. Ne do marrim pjesë thjesht në pjesën të themi logjistike.

Në fakt situata është shumë më tepër. Shqipëria do përfaqësohet me një trup të karakterit policor, e cila në mendimin tim duhet të referohej në publik sepse nuk është lehtë që në një rajon të tillë të çosh shqiptarë. Ju e dini se çfarë bëhet në të gjitha vendet kur merren vendime për të çuar trupa në vende të tjera.

Dhe pastaj kam dhe diçka personale përsa i përket bordit. Personalisht më trishton një fakt dhe dua t'i shikojmë një çikë problemet shumë më gjerë sesa Rama, sepse më besoni diçka, në mendimin tim, Rama është një aktor fare i padukshëm  të themi në mjedisin ndërkombëtar.

Besoj ju bën përshtypje që në këtë bord po flitet për një rajon i cili ka dhjetëra vjet, në kohët moderne po them, që po përballet me probleme të jashtëzakonshme me Izraelin dhe problemet e tyre të përçarjes, dhe ata nuk janë të përfaqësuar në bord. Nuk e di se si mund të menaxhosh një hapësirë ku lufta është aq e brishtë dhe ti mos e kesh pjesëtarët e tyre.

Nga ana tjetër, të gjitha vendet europiane, ju e dini, përveç vendeve vitale, dua të quaj Francën dhe Gjermaninë që janë dy vende të cilat mbajnë pilastrat kryesorë të Bashkimit Europian, po dhe vendet e tjera, ishte Kanadaja në fund që me gjithë kërkesën eksplicite që iu bë nga zoti Trump i tha jo këtij bordi, do të tregojnë realisht që qasja jonë përsa i përket zhvillimeve ndërkombëtare është jashtëzakonisht unilaterale dhe bëhet zakonisht nga liderët. Këtë herë është zoti Rama dhe në Kosovë ne e dimë domethënë që zonjës Osmani i duhet patjetër kjo, sepse përveç mandatit të saj, e thashë dhe njëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë jashtëzakonisht ndikim në Kosovë.

Por të gjitha këto na kanë bërë që të kalojmë një lajm tjetër të madh që ka qenë dje, që Amerika po mendon sërish një kufizim të trupave të saj në Kosovë. Dhe më besoni që këto janë lajmet që duhet të na, duhet të na trandin. Përsa i përket atij protagonizmit të zotit Rama, unë mendoj që e shfrytëzoi të paktën për interesin e vet lokal që është pjesa e mbështetjes së Shqipërisë ndaj njerëzve të UÇK-së.

Në vëmendjen tuaj dua t'ju them diçka, që përballja e njerëzve të UÇK-së tashmë dhe mbrojtja që po i bëjnë njerëzit është jashtëzakonisht e vonuar. Në gjithë këto vjet pothuajse njerëzit në Kosovë kanë qenë inaktiv dhe Shqipëria gjithashtu ka qenë jo shumë aktive për të themi ngritjen e një naracioni për mbrojtjen e tyre. Kohë më vonë do kuptoni që humbja që kemi pasur nga ky gjyq,  unë nuk e di se si do shkojë dënimi i tyre, po besoj që nuk do jetë ai dënim që ka kërkuar prokuroria, do të shikoni që pasojat do jenë goxha të mëdha, për Kosovën dhe për Shqipërinë.