E do Barcelona, Atletico i vendos Alvarezit çmimin marramendës
Atletico Madrid i ka vendosur një çmim marramendës yllit të tij, Julian Alvarez, me synimin për ta mbajtur sulmuesin argjentinas si pjesë të projektit afatgjatë të klubit.
Drejtuesit madrilenë duan të shmangin çdo tentativë për transferimin e tij gjatë verës.
Sipas raportimeve të Cadena SER, klubi spanjoll e ka informuar FC Barcelona se për të siguruar shërbimet e Alvarez do të nevojiteshin plot 200 milionë euro.
Kjo shifër shihet si një strategji për ta bërë praktikisht të pamundur largimin e lojtarit.
Burimet shtojnë se Alvarez është aktualisht më pranë rinovimit të kontratës sesa një transferimi në verë, pavarësisht zërave për një pakënaqësi të mundshme me projektin sportiv të Atleticos. Ndërkohë, Barcelona e konsideron atë si pasardhësin ideal të Robert Lewandowski në repartin ofensiv.
E ardhmja e Alvarez pritet të jetë një nga temat kryesore të merkatos verore.
Megjithatë, shifra prej 200 milionë eurosh mbetet një pengesë e madhe për çdo klub që synon transferimin e tij.