‘Presioni ndaj qeverisë po rritet’/ Çeno: SHBA flet përmes ambasadës! McAllister më i drejtpërdrejtë se kurrë

Gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri TV, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Enri Çeno komentoi zhvillimet e fundit diplomatike që lidhen me përfshirjen e Shqipërisë në të ashtuquajturin “Bord i Paqes”, si dhe presionin paralel që qeveria e Edi Rama po përjeton nga partnerët perëndimorë.

Sipas Çenos, Shqipëria duhet dhe duhej të ishte pjesë e kësaj nisme ndërkombëtare që në fillim, përkrah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve që mbështesin Uashingtonin, pavarësisht faktit se deri më tani asnjë shtet anëtar i Bashkimi Europian nuk i është bashkuar ende iniciativës.

Megjithatë, eksperti kritikoi ashpër mënyrën se si kryeministri Rama po përpiqet ta kapitalizojë politikisht këtë përfshirje. Çeno theksoi se Rama ka “monopol të retorikës publike” përmes kontrollit të mediave dhe aktivizimit të strukturave partiake për t’i dhënë vetes autorësinë e plotë të kësaj nisme, ndërsa analizat serioze gjeopolitike mbeten në plan të dytë.

Në këtë kontekst, ai u ndal edhe te qëndrimet e fundit të eurodeputetit David McAllister, duke vënë në dukje se deklaratat e tij kritike pas vizitës në Tiranë ishin më të drejtpërdrejtat deri më tani, duke e lidhur këtë me shqetësimet serioze të BE-së për korrupsionin, drejtësinë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Çeno nënvizoi se pavarësisht udhëtimeve të Ramës drejt Uashingtonit dhe tentativave për afrimitet me figura si Donald Trump, mesazhet reale nga SHBA vazhdojnë të vijnë përmes ambasadës amerikane në Tiranë.

Ai përmendi takimet e fundit të përfaqësueses së ambasadës amerikane, Nancy Van Horn, me Taulant Balla, si dhe një takim urgjent me Niko Peleshi, si sinjale të qarta të një presioni diplomatik në rritje.

Çeno:

Ne e kemi deklaruar, të paktën unë e kam deklaruar që që në fillim kur u diskutua krijimi i një institucioni të tillë ndërkombëtar, që Shqipëria duhet të bëhej pjesë absolutisht, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të cilat e përkrahin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse nga ana tjetër deri më tash asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian nuk është bërë ende pjesë e kësaj iniciative.

Do presim në muajt e ardhshëm, ndoshta do përfshihen, ndoshta jo. Kjo është çështje e diplomacisë së tyre dhe marrëdhënieve që po vazhdojnë të eskalojnë, por ndoshta edhe të zgjerohen në kuptimin e mirë të fjalës, në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, edhe njëherë, ajo që fiton është Shqipëria që është pjesë e Bordit të Paqes.

Rama ka monopolin e retorikës publike në Shqipëri nëpërmjet pronësisë totale të mediave në Shqipëri. Ne kemi parë jo më larg sesa mbrëmë edhe një lloj shthurje të këtyre që

Të gjithë, pra i gjithë grupimi i patronazhistëve brenda strukturës së Partisë Socialiste Rilindjes, u angazhua për për të maksimalizuar sa më tepër, për t'i dhënë një lloj autorsie. Ndërkohë që analizat e, më fal për shprehjen, po analizat e topeve të Edi Ramës ja kemi lënë Baton Haxhiut. Ne jemi këtu për të bërë analiza gjeopolitike dhe për asaj që rëndësinë që ka vetë Bordi i Paqes edhe për Shqipërinë.

David McAllister ishte më i drejtpërdrejtë se çdo herë tjetër. Pra ai është tipikisht një diplomat gjerman që ka atë ftohtësinë diplomatike të stereotipit gjerman, që është i palëkundur, shumë i kujdesshëm në fjalët që përzgjedh. Ndërkohë që dje ishte shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë në gjithçka që deklaroi. Deklaratat e tij ishin të drejtpërdrejta. Por nga krahu tjetër, vërtet Edi Rama pas një kohe të gjatë fluturon për në Washington DC, por përfaqësuesit e Washington DC-së në Shqipëri, që është ambasada amerikane, vazhdon jep mesazhe të qarta.

Mesazhi i fundit ishte dhe përgjatë takimit të përfaqësueses së ambasadës amerikane, pra Nancy Van Horn, me Taulant Ballën. Pati edhe një takim urgjent me Niko Peleshin. Pra bëhet fjalë që ata po vazhdojnë të ushtrojnë këtë presionin diplomatik, i cili nuk është i paktë, ne e dimë çfarë do të thotë presion diplomatik nga ambasada amerikane, në lidhje dhe me investitorët dhe me kompanitë amerikane të cilët kanë hasur problematika të mëdha me këtë qeveri.