Banorët e Belerbej protestojnë sërish para Bashkisë Elbasan: Prej muajsh presim zbatimin e largësisë së banesave nga varrezat

Banorët e zonës Belerbejt (Elbasan)  kanë dalë edhe një herë sot para godinës së Bashkisë Elbasan, duke kërkuar zbatimin e premtimit për largimin e banesave që ndodhen pranë varrezave të qytetit.

Sipas banorëve, qeverisja lokale ka premtuar prej muajsh që të marrë masa konkrete për zhvendosjen e objekteve problematike, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap i dukshëm.

LEXO EDHE: 'Varreza 5 metra larg shtëpisë', banorët e Elbasanit në protestë: Po na detyrojnë të largohemi

“Prej kohësh na premtojnë, por jetojmë ende pranë varrezave, me shqetësime për shëndetin dhe sigurinë tonë. Kjo është e papranueshme,” u shpreh një prej banorëve.

Banorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa akuzojnë Bashkinë për neglizhencë dhe mungesë serioziteti ndaj komunitetit.

Për momentin, Bashkia Elbasan nuk ka dhënë një përgjigje të qartë në lidhje me afatet për zbatimin e zhvendosjes së banesave.