Ernest Muçi, ‘Mbreti’ i muajit në Turqi/ Rekord, gola dhe merkato e nxehtë

Ernest Muçi po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij në Turqi, duke u shndërruar në protagonist absolut te Trabzonspor. Mesfushori shqiptar është shpallur lojtari i muajit nga HT Spor, një vlerësim që konfirmon ndikimin e tij të madh në skuadër.

24-vjeçari ka regjistruar 13 gola dhe 4 asistime në të gjitha kompeticionet, duke barazuar rekordin e Anastasios Bakasetas për më shumë gola nga një mesfushor në një sezon me Trabzonsporin.

Vetëm në kampionat ai ka shënuar 10 gola, ndërsa në Kupë ka shtuar edhe tri të tjerë, duke u kthyer në motorin ofensiv të ekipit.

Forma e tij e shkëlqyer ka ndezur edhe diskutimet e merkatos. I huazuar nga Besiktas për 1 milion euro, Muçi ka një opsion blerjeje prej 8.5 milionë eurosh.

Drejtuesit e Trabzonsporit po shqyrtojnë rinegocimin e shumës, ndërsa klubi i Stambollit mban një qëndrim të fortë, duke u mbështetur te kontrata e vlefshme deri në vitin 2027.

Pas sulmuesit Paul Onuachu, Muçi është golashënuesi i dytë më i mirë i skuadrës dhe një nga lojtarët më vendimtarë të sezonit.

E ardhmja e tij pritet të jetë një nga temat më të nxehta të verës në futbollin turk, teksa shqiptari po jeton fazën më produktive të karrierës.