'5% mbetet në letër', Qeveria vonon zbatimin për rivlerësimit të apartamenteve

Prej javësh, mijëra pronarë apartamentesh dhe agjenci imobiliare po presin zbatimin real të ligjit “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, i cili ul tatimin nga 15% në 5%.

Ndonëse ligji është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi më 22 janar 2026, ai mbetet i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Në praktikë, qytetarët nuk mund të përfitojnë nga ulja e premtuar e tatimit, pasi qeveria ende nuk ka miratuar çmimet e reja të referencës për shitblerjen e pasurive në rrethe, të cilat do të shërbejnë si bazë për zbatimin e ligjit.

Burime nga Ministria e Financave pranojnë se aktet nënligjore janë përgatitur, por zbatimi do të nisë vetëm pasi të miratohen çmimet e reja fiskale.

Kjo do të thotë se edhe pse ligji ka hyrë në fuqi, qytetarët mbeten në pritje të vendimmarrjes së qeverisë.

Më herët, ministri i Financave kishte deklaruar se rivlerësimi me 5% do të zbatohej paralelisht me metodologjinë e re të çmimeve të referencës, duke e paraqitur si një lehtësi për qytetarët dhe një përafrim me vlerat reale të tregut.

Por në terren, situata paraqitet ndryshe: tregu është në ngërç dhe transaksionet po shtyhen deri në sqarimin e plotë të procedurave.

Ndërkohë, ndryshimet e propozuara përfshijnë një ndarje të re në 176 zona kadastrale, për herë të parë edhe me përfshirjen e zonave rurale si kategori më vete.

Edhe këto ndryshime presin miratimin përfundimtar nga Këshilli i Ministrave.

Vonesa në miratimin e akteve dhe vendimeve përkatëse ngre pikëpyetje mbi koordinimin institucional dhe seriozitetin e qeverisë në zbatimin e reformave fiskale.

Për pronarët dhe investitorët, premtimi për tatim 5% mbetet ende një dispozitë në letër, ndërsa pasiguria vijon të frenojë tregun imobiliar.