Fermerët e Goriçanit përmbyten për të katërtën herë

Këtë javë, për të katërtën herë brenda një harku kohor prej tre muajsh, zonat e serave në Goriçan të Beratit janë përmbytur.

Që nga nëntori i vitit 2025, cikli i prodhimit në këtë zonë, e njohur si hambari i eksporteve shqiptare është ndërprerë dhunshëm nga reshjet dhe më pas vërshimi i lumit Devoll, HEC-et e të cilit kanë hapur portat e shkarkimit në respekt të rregulloreve.

Gentian Ziu një fermer në zonë tha se, këtë herë u dëmtuan tërësisht serat e fidanishteve dhe të tjera që u rikuperuan dhe tani situata është më shumë se katastrofë.

Eksportet e zarzavateve në janar 2026 sipas të dhënave zyrtare të INSTAT u përgjysmuan nga efektet shkatërruese të përmbytjeve të janarit.

Fermerët në zonë pohojnë se investimi fillestar për mbjelljen e një hektari me kultura të hershme, si domatja apo trangulli, fillon me koston e fidanëve që shkon mesatarisht deri në 15,000 euro. Bashkë me plehrat kimike, sistemet e ujitjes dhe krahun e punës, kostoja e çon faturën në rreth 25,000 euro për hektar.

Kur uji hyri në sera për të katërtën herë radhazi këtë shkurt investimet u asgjësuan krejtësisht. Lagështia e tepërt dhe asfiksia e rrënjëve e bëjnë të pamundur ri-mbjelljen e menjëhershme pa një proces të kushtueshëm tharjeje dhe dezinfektimi të dherave. Për më tepër, dëmi afatgjatë shtrihet te edhe degradimi i strukturave.

Ndryshe nga përmbytjet e viteve të kaluara, frekuenca e goditjeve të njëpasnjëshme këtë sezon ka asgjësuar çdo mundësi rikuperimi. Ky fenomen po krijon një efekt domino nga çmimet e në tregjet e pakicës që janë shumë të lartë për prodhimet e stinës deri tek rënia e eksporteve

Nga ana tjetër situata nuk po zbutet aspak pasi mungon një mekanizëm dëmshpërblimi apo një protokolli të qartë paralajmërimi.

Më herët në janar të këtij viti uji në fusha dhe në serra dëmtoi prodhimin në fazë vjelje dhe  fidanët e sezonit të hershëm në zonat me bujqësi intensive në qarqet e Beratit, Lushnjës, Fierit.

Ngricat ne ditën e parë të vitit, përmbytjet dhe sërish ngricat e dhe këto ditë serish përmbytje i kanë dhënë goditje finale prodhimit më bujqësi intensive.

Humbjet nga përmbytjet dhe ngricat janë më të mëdha se kapaciteti financiar i një familjeje bujqësore. Fermerët shqiptare as marrin subvencione dhe as nuk janë të siguruar kështu që janë ekspozuar totalisht ndaj humbjeve.

Në vendet e BE-së, një pjesë e primit të sigurimit mbulohet nga shteti, duke e bërë sigurimin të përballueshëm. Në Shqipëri, kjo mungesë e mbështetjes e lë fermerin të vetëm përballë klimës

Ekspertët pohojnë pa një ndërhyrje urgjente në sistemimin e argjinaturave poshtë digës dhe pa një koordinim real mes dikastereve, Goriçani rrezikon të kthehet nga një model suksesi i serave për eksporte në një kënete.