‘Në 15 muajt e parë të luftës në Gaza u vranë mbi 75.000 palestinezë, jo 49.000’
Më shumë se 75.000 palestinezë u vranë në 15 muajt e parë të sulmit ushtarak izraelit në Gaza, numër shumë më i lartë se 49.000 vdekjet e raportuara nga zyrtarët shëndetësorë lokalë në atë kohë, thuhet në një studim të ri të revistës mjekësore, “The Lancet Global Health”.
Në studimin e publikuar të mërkurën thuhet se gratë, fëmijët dhe të moshuarit përbëjnë rreth 56 për qind të vdekjeve të dhunshme në Gaza gjatë asaj periudhe, përqindje për të cilën thuhet se kryesisht përputhet me atë që është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në enklavë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Puna në terren për këtë studim u krye nga Qendra Palestineze për Politika dhe Hulumtim të Sondazheve, e menaxhuar nga Khalil Shikaki, i cili me dekada ka kryer sondazhe të opinionit publik në Bregun Perëndimor e në Gaza. Autori udhëheqës është Michael Spagat, profesor në Royal Holloway të Universitetit të Londrës.
Ky studim është sondazhi i parë i pavarur i popullsisë për vdekshmërinë në Rripin e Gazës, thanë autorët e tij, në hulumtimin e të cilëve u përfshi anketimi i 2.000 amvisërive palestineze për shtatë ditë, duke filluar nga 30 dhjetori i vitit 2024.
“Dëshmitë e kombinuara sugjerojnë se, deri më 5 janar 2025, 3 – 4 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës ishte vrarë në mënyrë të dhunshme dhe ka pasur numër të konsiderueshëm të vdekjeve jo të dhunshme, të shkaktuara tërthorazi nga konflikti” – thanë autorët e studimit.
Numri i të vdekurve në Gaza është kontestuar ashpër që nga fillimi i sulmeve izraelite pas sulmit të drejtuar nga Hamasi më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit. Autoritetet shëndetësore në Gaza, shifrat e të cilave cilësohen si të besueshme nga Kombet e Bashkuara, raportojnë se mbi 72.000 njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë mbeten të zhdukur nën ndërtesat e shkatërruara 28 muaj pas fillimit të luftës.
Izraeli i ka kontestuar këto shifra, duke e përmendur si arsye kontrollin e Hamasit mbi Ministrinë e Shëndetësisë, edhe pse një oficer i lartë ushtarak u tha mediave izraelite muajin e kaluar se këta numra janë gjerësisht të saktë – një pikëpamje për të cilën ushtria tha më vonë se nuk i pasqyron të dhënat zyrtare.