Syri Tv/ Më herët e tallte, Rama 'i bën qejfin' Trumpit në Bordin e Paqes, sulmon prokurorin që e përndoqi
Kryeministri Edi Rama, ka shprehur vlerësime për rolin e Donald Trump, ndryshe nga herët e tjera ku kritikonte dhe tallte Presidentin amerikan. Gjatë fjalës së tij në Bordin e Paqes, Rama konfirmoi se Shqipëria do të dërgonte trupa ushtarake në Gaza dhe ju bashkua kritikave ndaj OKB-së.
Nga Syri TV
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para Bordit të Paqes, ndryshe nga herët e tjera ku kritikonte dhe tallte Presidentin amerikan, ka shprehur vlerësime për rolin e Donald Trump në zgjidhjen e konflikteve në botë. Shefi i qeverisë konfirmoi se Shqipëria do të dërgonte trupa ushtarake në Gaza dhe iu bashkua kritikave ndaj OKB-së.
“Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen në Forcën stabilizuese me trupat tanë. Në të njëjtën kohë propozova që ky Bord të ftojë të gjithë vendet duke kontribuar një lehtësim publik për fëmijët në Gaza. Shumë në Europë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB-në, por nuk duket përpjekje për ta zëvendësuar. Por nëse ndihmon dhe shpresojmë ta zgjojë, atëherë zoti e bekoftë Bordin e Paqes” tha Rama.
Për t’i bërë qejfin Presidentit amerikan, Edi Rama përmendi për herë të parë emrin e prokurorit Jack Smith, një kundërshtar i njohur i Donald Trump.
"Udhëheqja e presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Presidenti i Kosovës, që aso kohe u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje në praninë e presidentit Trump, dhe në fakt kjo ishte ajo çfarë bëri prokurori Jack Smith, që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht" tha Rama.
Teksa sot vlerëson rolin e Donald Trump, kryeministri Rama është bërë protagonist i sulmeve, fyerjeve dhe talljeve ndaj personit që drejton vendin më të rëndësishëm të botës. Që para zgjedhjes së Trump në mandatin e parë, Rama e cilësonte atë si të dëmshëm për SHBA, por edhe për botën.
'Zoti na ruajt. Besoj se do t'i bënte shumë dëm Amerikës dhe botës demokratike' do të deklaronte Rama.
Këtë qëndrim Rama e ripërsëriti edhe herë të tjera, duke e cilësuar Trump si kërcënim për botën.
Rama vijoi sjelljen e tij tallëse ndaj Donald Trump edhe pas zgjedhjes në mandatin e dytë. Duke ironizuar rolin e Trump për vendosjen e paqes në shumë zona konflikti, kryeministri vijoi sjelljen tallëse ndaj Presidentit Amerikan edhe në prezencë të liderëve të tjerë të botës.
Kryeministri Edi Rama u është kundërvënë qëndrimeve dhe rolit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, në luftën Rusi–Ukrainë. Nga Konferenca e Romës për rindërtimin e Ukrainës, Rama nuk kurseu as mesazhet për Trump, se ai dhe Europa nuk do të lejojnë askënd jashtë kufijve të Europës t’i japë leksione paqeje.
“Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione neve, komunitetit evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon paqja. Ne nuk jemi një komunitet luftënxitësish, dhe Ukraina nuk është as agresori dhe as shkaktari i asaj lufte të përgjakshme që zhvillohet çdo ditë e natë në portat e Europës.”
Kjo sjellje e kryeministrit shqiptar Edi Rama ka lënë gjurmët e veta, pasi gjatë prezantimit të liderëve që janë pjesë e Bordit të Paqes, Presidenti Trump bëri elozhe për gjithë të tjerët, me përjashtim të Edi Ramës, të cilit i përmendi vetëm emrin.