Ancelotti. i lumtur me Brazilin: Mendoj se do të rinovoj për katër vite, më pëlqen shumë

Trajneri italian, Carlo Ancelotti, është shprehur tejet i kënaqur me eksperiencën e tij në krye të përfaqësueses së Brazilit, duke lënë të kuptohet se do të vazhdojë për një kohë të gjatë në këtë detyrë. Pasi u largua nga Real Madridi, tekniku italian po përjeton një fazë shumë pozitive si përzgjedhës i Brazilit dhe po përgatitet për Botërorin e vitit 2026.

Në një intervistë për Movistar, Ancelotti paralajmëroi zgjatjen e kontratës së tij me Konfederatën Braziliane të Futbollit deri në vitin 2030. “Mendoj se do të rinovoj për katër vite me Brazilin. Është një punë e re dhe më pëlqen shumë”, deklaroi ai, duke theksuar entuziazmin për sfidën e re në stolin e “Seleçaos”. I emëruar në maj të vitit 2025, federata braziliane është e vendosur ta mbajë trajnerin 66-vjeçar për një periudhë afatgjatë.

Gjatë bisedës, Ancelotti foli edhe për rolin e rëndësishëm të Vinícius Júnior në skuadër. “Kam folur me të. Një lojtar duhet të respektojë trajnerin dhe shokët e ekipit. Ai e ka përmirësuar shumë qëndrimin e tij në fushë”, u shpreh tekniku italian.

Ancelotti vlerësoi gjithashtu karakterin e futbollistëve brazilianë: “Brazilianët janë shumë të përulur, janë ndryshe. Vini që vjen këtu është shumë ndryshe nga ai i Madridit në aspektin njerëzor”. Fjalët e tij tregojnë optimizëm dhe besim për të ardhmen e Brazilit nën drejtimin e tij.