Noka: Rama dhe mediat pranë qeverisë po shesin propagandë, ftesat për ‘Bordin e Paqes’ u janë dërguar dhjetëra shteteve

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në një postim publik shprehet se Rama dhe mediat pranë qeverisë po shesin si propagandë pjesëmarrjen në ‘Bordin e Paqes’.

Në reagimin e tij, Noka thekson se Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vlerësime për disa liderë ndërkombëtarë, përfshirë Javier Milei dhe Vjosa Osmani, ndërsa në Shqipëri kjo pjesëmarrje po paraqitet si një takim i veçantë ‘kokë më kokë’ me Ramën.

Sipas Nokës, ftesat për këtë forum u janë dërguar dhjetëra shteteve, çka rrëzon narrativën e promovuar nga qeveria.

Reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

Mjaftojnë sekondat e para për të kuptuar qasjen e Presidentit Trump ndaj udhëheqësve që kanë pranuar të jenë pjesë e Bordit të Paqes. Donald Trump u ndal të fliste me konsideratë për homologun argjentinas Milei, për homologen kosovare Vjosa Osmani, për kryeministrat e Armenisë, Hungarisë e Japonisë.

Mesa duket batuta e Presidentit Trump në Davos, se atje mungonin 2-3 lidera që ai s'i pëlqente, s'paska qenë vetëm humor. Ndërkohë shtypi proqeveritar po e shet këtë pjesëmarrje si takim kokë më kokë.

Duke qenë se ne nuk kemi një presidente si Kosova, por një ushtar si 2B-ja, vendi përfaqësohet nga shefi i tij. Ftesat për anëtarësim në Bordin e Paqes i kanë shkuar me dhjetëra e dhjetëra shteteve, përfshirë Lukashenkon e Bjellorusisë, i cili nuk u thotë bjellorusëve që e ka ftesën personale, se nuk e hanë patronazhistët atje.