FIFA dhe UEFA diskutojnë zgjerimin e Botërorit për Klube: 48 ekipe dhe turne bienal

Zgjerimi i mundshëm i Botërorit për Klube në 48 ekipe duke nisur nga viti 2029, si dhe transformimi i tij në një turne bienal, janë bërë një nga pikat kryesore të debatit mes FIFA-s dhe UEFA-s. Këtë temë diskutuan së fundmi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, gjatë Kongresit të 50-të të UEFA-s, por pa arritur një marrëveshje përfundimtare.

Sipas raportimeve të Marca-s, mosmarrëveshjet mes dy institucioneve lidhen me tri aspekte kryesore: zgjerimin e turneut, ritmin bienal dhe vendet pritëse të kompeticionit. UEFA ka shprehur shqetësime se një turne me 48 ekipe do të rëndonte akoma më shumë kalendarët e ngjeshura të klubeve evropiane, ndërsa një organizim bienal konsiderohet i tepërt.

Sa i përket vendeve pritëse, përveç Shteteve të Bashkuara, ku u zhvillua edicioni i fundit, ekzistojnë opsionet Spanjë dhe Marok, me FIFA-n që ka shfaqur preferencën për këtë të fundit. Kjo zgjedhje shihet si një provë parapërgatitore për Kupën e Botës 2030, që do të organizohet bashkë nga Maroku, Spanja dhe Portugalia, me tri ndeshje të planifikuara në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai.

Përveç debatit sportiv, një tjetër faktor ndikues është fitimi nga të drejtat televizive, i cili është shumë i lartë; edicioni i fundit ka gjeneruar mbi një miliard euro.

Palët pritet të takohen sërish për të gjetur një marrëveshje, që të kënaqë të gjitha palët e përfshira pa ngarkuar më tej kalendarët e ngjeshura të futbollit ndërkombëtar dhe klubesh.