Njehsimi i veprimit me fjalën ose rreziku i krijimit të disonancave konjitive

Nga Andi Mustafaj/

Sistemi në Shqipëri është ndërtuar në mënyrë të tillë që të vendosë mbi opozitën një trysni të vazhdueshme dhe gjykuese, mjaftueshëm të fortë për ta shtyrë drejt dështimit ose, të paktën, drejt perceptimit të dështimit

Thënë ndryshe i kërkohet opozitës në mënyrë të vazhdueshme të ecë mbi vezë pa i thyer ato. Dhe kur ajo i thyen, qentë e regjimit lëshohen në turmë për të shqyer viktimën e tyre. Loja është e dizenjuar që ajo të humbasë, por humbja të duket si paaftësi e saj, jo si produkt i sistemit.

Ky është realiteti, por ky realitet është i ndërtuar nga njerëzit dhe si i tillë ndryshohet nga njerëzit. Hapi i parë për ta përmbysur është të ndryshojmë vetë qasjen tonë politike, të heqim justifikimet ekstreme që regjimi krijon duke u mbështetur tek gabimet tona, më saktë pjesët e propagandës që ushqehen apo mundësohen nga veprimtaria jonë.

Në filozofin e veprimit, një mbi të tjerat më duket e një rëndësie të veçantë: njehsimi i veprimit me fjalën. Mund të duket në pamje të parë si një çështje teorike, por në fakt është një prej mekanizmave më të thellë që ushqen propagandën e regjimit dhe krijon hendekun midis opozitës dhe popullit.

Qytetari si individ dhe si pjesë e një grupimi (i vogël apo i madh) merr, kupton analizat në forma të ndryshme ligjërimet apo strategjitë politike. Disa analiza janë të ndërgjegjshme, pra qytetari e kupton që po e kryen atë analizë por shume të tjera janë subkoshiente, pra ndodhin në nën ndërgjegje. Qytetari nuk ulet të bëjë një arsyetim formal, por sistemi i tij i vlerësimit regjistron mospërputhjet.

Mos njësimi i fjalës me veprimin krijon një formë të veçantë disonance konjitive tek njerëzit sepse ndeshin pa vetëdijen e tyre dhe në mënyrë kundërshtuese atë që dëgjojnë me atë që kuptojnë.

Nëse një spikere lajmesh informon për një aksident ku kanë vdekur fëmijë, por fytyra e saj është e qeshur, dëgjuesi/shikuesi përjeton një çoroditje të menjëhershme. Ai nuk di nëse lajmi është i vërtetë, nëse reagimi është i papërshtatshëm apo nëse diçka nuk shkon. Vëmendja e tij nuk përqendrohet më tek thelbi i lajmit, por tek kontradikta midis asaj që dëgjon dhe asaj që sheh. Në vend që të përthithet mesazhi, truri përqendrohet tek kontradikta. Forma e mbyt përmbajtjen.

E njëjta gjë ndodh në politikë me një veçanti: disonanca e vazhdueshme krijon lodhje psikologjike. Qytetari mund të mos e artikulojë dot arsyen, por ai e ndien kontradiktën. Mosbesimi nuk lind nga propaganda, por nga kontradikta e perceptuar. Propaganda vetëm e amplifikon atë.

Cila është fjala jonë publike? Është fjala e përballjes me një regjim autokratik të konsoliduar, i cili po rrëshqet drejt një diktature të mirëfilltë. Është fjala që thotë se ky regjim duhet luftuar deri në asgjësimin e tij.

Sa më e fortë të jetë fjala, aq më e lartë bëhet barra e veprimit që ajo kërkon. Ajo kërkon veprim me intensitet të lartë, kërkon disiplinë të hekurt, kërkon që në çdo hap tonin qytetarët të ndiejnë përputhjen e plotë mes ligjërimit dhe sjelljes sonë. Kërkon një vendosmëri të tillë që të kompensojë frikën që regjimi përhap në masa, të çajë barrierat që i mbajnë njerëzit të stepur dhe t’i japë formë konkrete guximit për t’u rebeluar.

Megjithatë, ndodhin shpesh raste, më shumë seç mund të përballojë ndërgjegjja jonë kur shohim përfaqësues, të cilëve u kemi besuar, të hyjnë në tregti me regjimin, duke rrënuar vetë idenë se përballë kemi një regjim. Marrja e posteve, përfitimi i tenderave, ortakëritë e biznesit janë akte që godasin besimin në themel. Po aq dëmtuese janë edhe skenat e humorit në momente që kërkojnë gravitet, gallatat që zbehin damkën e regjimit. Sepse lind pyetja e thjeshtë: a mund të qeshet me një regjim që e kemi shpallur si kërcënim ekzistencial?

Prandaj njehsimi i fjalës me veprimin nuk është çështje etike individuale por kusht i ekzistencës politike. Një opozitë që flet për përmbysje duhet të sillet si forcë përmbysëse. Një opozitë që flet për sakrificë duhet të dëshmojë sakrificë. Vetëm kur qytetari sheh koherencë të plotë mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet, ai kapërcen frikën. Dhe vetëm kur frika kapërcehet, regjimi fillon të lëkundet.

Kur fjala jonë është e ashpër dhe veprimi i butë, kur flasim për regjim dhe sillemi si në normalitet, kur premtojmë sakrificë dhe zgjedhim rehati, krijohet një përçarje e brendshme tek ai që na dëgjon. Ai nuk thotë menjëherë “po gënjejnë”, por fillon të thotë “diçka nuk shkon”. Dhe ky “diçka nuk shkon” është fara e mosbesimit.

Në momentin që fjala ndahet nga veprimi, opozita humb jo vetëm betejën politike, por epërsinë morale, dhe pa epërsi morale nuk ka shpresë që mobilizon. Pa epërsi morale, çdo qëndrim i fortë perceptohet si retorikë apo si teatër.

Për regjimin, pasoja e mosnjehsimit të fjalës me veprimin është krejt tjetër. Regjimi nuk mbështetet mbi besimin, por mbi kontrollin. Ai është i fortë përmes mjeteve të shtetit, përmes administratës që e ka shndërruar në instrument partie, përmes presionit ekonomik, përmes frikës së përhapur në mënyrë kapilare. Konfuzioni i përhershëm midis fjalës dhe veprimit nuk është dobësi për të; është pjesë e arkitekturës së tij. Kjo mospërputhje nuk e dëmton, sepse ai nuk kërkon koherencë morale, ai kërkon nënshtrim praktik.

Regjimi jeton mbi mjegullën, mbi paqartësinë, mbi ambiguitetin. Sa më e paqartë të jetë vija ndarëse midis së drejtës dhe së gabuarës, aq më lehtë zhvendoset përgjegjësia. Sa më shumë të ngatërrohen fjalët me veprat, aq më e vështirë bëhet për qytetarin të orientohet. Siç e kemi treguar në kapitullin e parë, ky konfuzion është mekanizëm pushteti: ai lodh, çorienton, relativizon gjithçka. Në një realitet ku asgjë nuk është e qartë, pushteti bëhet e vetmja pikë referimi.

Opozita nuk ka këtë luks. Ajo nuk ka administratën, nuk ka buxhetin, nuk ka instrumentet e detyrimit. E vetmja forcë e saj reale është besimi. Dhe besimi është një materie e brishtë: ndërtohet ngadalë, rrënohet shpejt. Ndryshe nga regjimi, opozita nuk mund të mbijetojë mbi mjegullën. Në momentin që futet në ambiguitet, në momentin që toleron mospërputhjen midis asaj që thotë dhe asaj që bën, ajo humb terrenin e vetëm mbi të cilin mund të qëndrojë.