Ishulli grek kthehet në 'Hollywood'/ Brad Pitt dhe ekipi i tij nisin xhirimet e filmit të ri ndërkombëtar
Ishulli piktoresk i Hydra (Greqi) është shndërruar ditët e fundit në një shesh të madh xhirimi, ndërsa përgatitjet për prodhimin e ri ndërkombëtar me protagonist Brad Pitt kanë hyrë në fazën finale.
Qendra e aktivitetit është përqendruar në portin e ishullit, ku është ngritur edhe seti kryesor i xhirimeve.
Sipas burimeve lokale, produksioni ka marrë me qira tre ambiente tregtare në zonën bregdetare.
Njëri prej tyre po përdoret si magazinë për pajisjet filmike, ndërsa dy të tjerët janë transformuar në skena xhirimi: njëra është përshtatur si zyrë biletash për një linjë detare, ndërsa tjetra është kthyer në një kafene tradicionale, në funksion të skenave të filmit.
Megjithëse përgatitjet janë drejt përfundimit, Brad Pitt ende nuk është parë në ishull.
Mbërritja e tij pritet brenda ditës së nesërme, përveç ndonjë ndryshimi të paparashikuar në axhendë.
Atmosfera në Hydra është tashmë plotësisht “hollywoodiane”.
Ekipi i madh i produksionit ka mbushur hotelet dhe strukturat akomoduese, ndërsa lokalet dhe restorantet që janë të hapura po përjetojnë një fluks të pazakontë vizitorësh.
Dy struktura të mëdha janë ngritur pranë hotelit Hydroussa, ku do të ofrohet shërbimi i ushqimit për stafin dhe aktorët gjatë xhirimeve.
Ndërkohë, në disa zona të ishullit po vijon instalimi i skenografisë dhe pajisjeve teknike.
Rrugicat e ngushta me kalldrëm, sheshet dhe ndërtesat karakteristike të Hydrës po shfrytëzohen si sfond natyror, duke i dhënë filmit një identitet të veçantë vizual.
Sipas planit të produksionit, xhirimet pritet të nisin më 21 shkurt, duke e vendosur edhe një herë Hydrën në hartën ndërkombëtare të industrisë së filmit./ Përgatiti: Syri.net
FOTO GALERI