Bardhi: Kuvendi po kthehet në bunker për të korruptuarit, integrimin përdoret si propagandë politike

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend deklaroi se shërbimi i jashtëm është politizuar në mënyrë të thellë dhe se procesi i integrimit europian po pengohet për shkak të mbrojtjes që mazhoranca po u bën zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion.

Bardhi tha se një pjesë e konsiderueshme e ambasadorëve të Shqipërisë janë emërime politike, të lidhura me Partinë Socialiste, ndërsa akuzoi se përfaqësitë diplomatike janë përdorur për qëllime elektorale gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas tij, kjo situatë bie ndesh me pretendimet e qeverisë për reformim të shërbimit diplomatik dhe profesionalizim të administratës së jashtme.

Bardhi ngriti shqetësime edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke akuzuar qeverinë se po paraqet si sukses hapjen e kapitujve, ndërkohë që thelbi i procesit shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit  po cenohet.

Në fund, Bardhi e cilësoi integrimin europian si një proces që po përdoret për propagandë politike, ndërsa kërkoi më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria për zhvillimet reale në raport me institucionet europiane.

Deklarata e plotë:

"Nëse sot hap listën e ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, do shikoni që 70% e tyre janë individë politikë që kanë qenë në këtë krah të sallës, deputetë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste.

Do ta kishim besuar realisht që kjo qeveri ka për qëllim të reformojë shërbimin e jashtëm, nëse nuk do kishim vërejtur që në zgjedhjet e 11 majit, ambasadat e Republikës së Shqipërisë në mbarë botën u kthyen në qendra elektorale të Partisë Socialiste.

Ku ambasadorët u ardhëdokisnin fjalimin e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, që kudo ku shkonte, fynte opozitën dhe popullin opozitar.

Do ta kishim besuar reformën në shërbimin e jashtëm, nëse ju zonja ministre do të vinit këtu dhe nuk do të flisnit për suksese imagjinare të politikës suaj të jashtme me atletet e bardha të kryeministrit, po do të kishit informuar me seriozitetin që ju dikton detyra shtetërore që mbani, Kuvendin e Shqipërisë se si procesi i integrimit Europian është marrë peng nga rasti i korrupsionit të zëvendëskryeministres tuaj.

Pse na flisni për suksese imagjinare të hapjeve të kapitujve zonja ministre dhe nuk na informoni për mbledhjen e dy javëve më parë të grupit COELA, ku Shqipërisë i është bërë e qartë se nuk ka për të patur asnjë hap përpara në procesin e integrimit, nëse ky kuvend kthehet në strehë dhe bunker të zyrtarëve të lartë të korruptuar. Nuk ka për të pasur asnjë hap përpara nëse zv/kryeministres tuaj, ky kuvend nuk i heq imunitetin.

Pse e mbani të fshehur për kuvendin ju këtë informacion dhe na flisni se Shqipëria qenka  qendra e Europës se ka hapur kapitujt.

Çfarë suksesi është hapja e kapitujve? Sukses është t'i mbyllësh kapitujt. Dhe meqënëse përmende themeloret, shteti ligjor është baza e atij procesi. Dhe ju keni vendosur që për një rast konkret, jo vetëm të shkelmoni shtetin ligjor në vend, po edhe të pengoni procesin e integrimit Europian të Shqipërisë.

Për çfarë suksese flisni ju? Serbia ka hapur kapituj e ka mbyllur kapituj. Mali i Zi ka hapur kapituj e ka mbyllur kapituj. Ku jemi ne? Ne jemi te Belinda Balluku. Nuk pyesim ne për procesin e integrimit Europian, ku bëhet fjalë për fatin politik të Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut.

Ju integrimin Europian e keni propagandë të pastër. Në cilën tryezë vendimmarrëse na ka ulur qeveria juaj gjatë këtyre viteve? Në cilin organizëm na ka ulur? Në Këshillin e Europës na ka ulur qeverisja e Partisë Demokratike. Në OKB na keni futur ju.

Në cilën tryezë vendimmarrëse na ka ulur kjo qeveri? Askund. Vetëm ka zvarritur për interesa të veta politike dhe motive dhe arsye pushteti, të mbajtjes me dhunë të pushtetit prej 14 vitesh në një proces jetik dhe shumë të rëndësishëm".