'Uashingtoni, i shqetësuar se Rama po mbron Ballukun'/ Çfarë paralajmëroi media e njohur amerikane
Bashkimi Europian ka qenë shumë i zëshëm për çështjen e Ballukut, duke kërcënuar në disa raste se mund të bllokojë ose të zhbëjë fare procesin e integrimit të Shqipërisë.
Ndërkohë që Brukseli ka kërcënuar hapur Edi Ramën, edhe Uashingtoni nuk ka mbetur prapa, edhe pse reagimet e tyre kanë qenë më të pakëta.
Dhjetorin e kaluar, një nga mediat më të njohura në SHBA, portali konservator Breitbart raportoi se Departamenti i Shtetit është i shqetësuar për mbrojtjen që po i bën Edi Rama, Ballukut.
“Departamenti Amerikan i Shtetit ka qenë i kujdesshëm të mos përfshihet publikisht në krizën politike që po zien në Shqipëri – një aleat kyç rajonal, anëtar i NATO-s dhe vend aspirant për BE – por sipas burimeve, në prapaskenë zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar me mënyrën se si Rama ka menaxhuar skandalin e korrupsionit, veçanërisht me përdorimin e Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer Ballukun në detyrë dhe për ta mbrojtur nga ndjekja penale,” shkruante Breibart.
Prej atëherë ka pasur shumë zhvillime dhe kriza në vend është thelluar më shumë.
Ndërkohë sot Edi Rama viziton Uashingtonin për të marrë pjesë në inaugurimin e Bordit të Paqes si përfaqësues i Shqipërisë.
Ai është thjesht një përfaqësues i një shteti, siç janë edhe shumë të tjerë.
Nga ana tjetër, gazeta britanike ‘The Guardian’ e përfshin Ramën në mesin e autokratëve që janë bërë pjesë e Bordit të Paqes.