PD Elbasan thirrje për pjesëmarrje në protestën e 20 shkurtit

Sekretari politik i Partia Demokratike e Shqipërisë, dega Elbasan, Sokol Shkëlzeni, në një deklaratë për mediat u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit t’i bashkohen protestës paqësore të opozitës që do të zhvillohet ditën e nesërme, më 20 shkurt.

“Prej vitesh vendi po kalon një krizë të thellë sociale, ekonomike, ligjore dhe institucionale. Skandalet e kësaj qeverie kanë qenë të njëpasnjëshme dhe kanë rënduar mbi qytetarët.”- u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Shkëlzeni renditi vështirësitë me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët në përditshmëri, duke theksuar detyrimet e papërmbushura të qeverisë dhe nivelin e korrupsionit në vend.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari, çdo pensionisti dhe çdo punonjësi që të dalë në protestë për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po u bëhen çdo ditë.”- vijoi më tej Shkëlzeni.

Sipas përfaqësuesit të opozitës, protesta synon të përcjellë mesazhin e pakënaqësisë qytetare dhe kërkesën për ndryshim.