Zhupa: Kuvendi është shndërruar në 'fabrikë ligjesh me porosi' dhe mbron oligarkët

Duke u nisur nga raporti i fundit i Transparency International, ku Shqipëria ka shënuar një rënie me 11 vende, deputetja e opozitës Ina Zhupa ka denoncuar tre forma të sofistikuara të korrupsionit që po prodhohen direkt nga qeveria dhe parlamenti.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare Zhupa  tha se Kuvendi është shndërruar në një “fabrikë ligjesh me porosi”, të cilat hartohen jo për interesin publik, por për të mbrojtur qeveritarët apo për t'u dhënë asete dhe favore oligarkëve e klientëve të pushtetit.

Ky fenomen, i përcaktuar si i tillë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, konsiderohet si një nga shkaqet kryesore të përkeqësimit të perceptimit të korrupsionit në vend.

E dyta është forma e “korrupsionit politik”. Për të ilustruar këtë akuzë, deputetja përmendi rasti i ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Olta Xhaçaj.

U theksua se vetëm tre muaj pas largimit nga detyra e saj e lartë dhe e pavarur, ajo u votua nga mazhoranca socialiste për një post në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ky veprim u interpretua si një shpërblim për mbështetjen që ajo i ka dhënë mazhorancës gjatë kohës që drejtonte Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimin e pavarësisë së institucioneve.

Sipas Zhupës, kjo mbrojtje e hapur ndaj figurave të larta të qeverisë cenon drejtpërdrejt thelbin e reformës në drejtësi, një nismë për të cilën qeveria mburret vazhdimisht.

Fjala e plotë:

"Sipas Transparency International, Shqipëria ka rënë me 11 vende përsa i përket korrupsionit.

Jo vetëm që parlamenti nuk e diskuton, por parlamenti është bërë strofa më e lartë e korrupsionit, duke prodhuar atë që quhet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, korrupsioni legjislativ.

Këtu është bërë një fabrikë ligjesh me porosi, të cilat vijnë sipas orekseve o për të mbrojtur qeveritarët, ose për të dhënë copa të Shqipërisë oligarkëve dhe klientëve dhe ne do të duhet thjesht që të votojmë.

Ne të flasim kundër, kartonat i keni gati dhe të prodhohen ligje për të dhuruar Shqipërinë. Keni formën e dytë të sofistikuar që kalon përsëri sot me një projektvendim që nuk e diskutojmë dot.

Të asaj që quhet korrupsioni politik, ku njerëzit që duhet të ushtronin detyrat kushtetuese në mënyrë të pavarura, tre muaj mbasi kanë lënë mandatin kushtetues, votohen, mbështeten nga mazhoranca, siç është rasti i ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese Olta Xhaçaj, e cila nga kryetare e Gjykatës Kushtetuese për tre muaj votohet nga mazhoranca socialiste si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, për të treguar në fakt atë që e kemi thënë gjithmonë, që siç po e mbështesni sot, ju ka mbështetur në çdo vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese.

Së treti keni atë korrupsionin penal, atë për të cilin jua tha dje edhe Mekalister që është testi kritik. Dhe testin kritik ju keni dy muaj që e mbani në zyrtarët e kuvendit.

Keni dy muaj që i garantoni mbrojtje zëvendës kryeministres, ministres tuaj dhe deputetes tuaj.

Korrupsioni penal është ai në fakt që cënon drejtpërdrejtë edhe atë që jeni mburrur vetë, reformën në drejtësi, e që ju do të ishit pishtarët e reformës në drejtësi.

Por ju reforma në drejtësi është shumë e mirë për aq kohë sa merret me opozitën.

Po kur vjen puna që duhet të arrestohen dhe duhet të gjykohen anëtarët e qeverisë, atëherë ju ndryshoni ligjet, atëherë ju merrni masa për t'i mbyllur në zyrtarët e kuvendit dhe atëherë po, nuk ka më asnjë kuptim për ju reforma në drejtësi.

Ndaj do t'ju lutesha që ta fusni në rend dite të kësaj seance ose të seancës së ardhshme, një diskutim për raportin për korrupsionin në Shqipëri, se Shqipëria ka humbur plot 11 vende dhe kjo është e gjithë".