'Mazhoranca prej dy muajsh pengon drejtësinë për Ballukun', Bardhi: Po e ktheni Kuvendin në bunker të korrupsionit

Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe akuza të rënda nga ana e opozitës, e cila ka akuzuar mazhorancën se po bllokon qëllimisht kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Gjatë diskutimit për miratimin e kalendarit të punimeve, kreu i grupit parlamentar tw PD Gazment Bardhi deklaroi. se axhenda e Kuvendit duhet të kishte vetëm një pikë: votimin e kërkesës së SPAK. Sipas tij, mazhoranca prej dy muajsh po e zvarrit këtë çështje, duke e shndërruar institucionin më të lartë ligjvënës në një “bunker për zyrtarët e korruptuar”.

“Keni dy muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin e Shqipërisë në institucionin e vetëm në botë që bëhet bunker ndaj zyrtarëve të korruptuar,” u shpreh deputeti opozitar nga foltorja e Kuvendit. Ai shtoi se kjo çështje duhet të futet me urgjencë në rendin e ditës.

Në fjalën e tij,Bardhi foli edhe pwr një propozim ligjor tw mazhorancës për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i cili, sipas opozitës, synon t'u japë mbrojtje politike anëtarëve të qeverisë nga hetimet e SPAK. “Jeni i vetmi vend në botë që miratoni një ligj për të mbrojtur veten,” tha ai.

Opozita kërkoi me forcë që në kalendarin e punimeve të përfshihet menjëherë heqja e imunitetit të zëvendëskryeministres, për t’i hapur rrugë hetimeve dhe përballjes së saj me drejtësinë si çdo qytetar i barabartë para ligjit.

Gazment Bardhi: Zoti kryetar i kuvendit, kuvendi i Shqipërisë në axhendën e tij duhet të ketë vetëm një pikë që ju keni dy muaj që e mbani zvarrë e tërhiqni zvarrë, duke e kthyer kuvendin e Shqipërisë institucionin e vetëm në botë që bëhet bunker ndaj zyrtarëve të korruptuar. Dhe kjo çështje është futja me urgjencë në rend dite e kërkesës së prokurorisë për të hequr imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. E justifikuat shtyrjen fillimisht me kohën që kërkoi avokati mbrojtës tre javë për të mbrojtur korrupsionin e Belinda Ballukut. Na thatë, pasi skadoi tre javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për dy muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zëvendëskryeministër apo ministër nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetit. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese që pezullimi nga detyra, 8 me 0 madje, nuk hyn fare në çështjen e imunitetit as të deputetëve, as të ministrave. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nxorrët një tjetër justifikim, do presim të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Dhe për dy muaj jeni bërë pengesë për hetimin e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë. Prandaj dhe nuk duhet të bëhemi hipokritë zoti kryetar. Miratojmë kalendare e program pune ku ky kuvend ka dështuar për dy muaj të përmbushë një funksion kushtetues në interes të qytetarëve, siç është pranimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Prandaj dhe deri në atë moment, ky kuvend nuk mund as të funksionojë normalisht, as të bëjë sikur ajo çështje nuk ndodhet këtu, dhe as të na njoftoni që përmes një ligji keni vendosur t'i jepni mbrojtje politike kryeministrit dhe ministrave nga veprimet hetimore të prokurorisë së posaçme. Jeni i vetmi vend në botë që miratoni një ligj për të mbrojtur veten. Dhe është në turpin e këtij kuvendi, por dhe të kolegëve të mi të mazhorancës, një pjesë prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me korrupsionin dhe nuk duhet të pranojnë kurrë që të shndërrojnë këtë sallë në mburojë për të korruptuarit. Prandaj zoti kryetar, në kalendar do të duhet të fusni me urgjencë heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, t'i hapni rrugë hetimeve të prokurorisë, t'i hapni rrugë çdo mase që kërkon prokuroria ndaj cilitdo që të shkojë dhe të përballet si i barabartë përpara ligjit për çdo akuzë që ngrihet nga Prokuroria e Posaçme….