‘Mbrojtje iluzive për ministrat’, Halimi: Nisma për ndryshimin e ligjit është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën

Ndryshimet ligjore që po shtyn përpara qeveria për të blinduar ministrat nga masat e pezullimit të kërkuara nga drejtësia e re, përbëjnë një “përpjekje të dëshpëruar” dhe “iluzive”. Kështu i cilëson ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv,  i cili argumenton se nisma është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe si e tillë, është e destinuar të dështojë.

Sipas Halimit, lëvizja e mazhorancës nuk është një çmenduri e kalkuluar, por një veprim i dëshpëruar që synon thjesht zvarritjen e proceseve duke e dërguar çështjen sërish në Gjykatën Kushtetuese, me shpresën për të fituar kohë. “Unë e quaj këtë iluzive, sepse në nenin 73 të Kushtetutës është përcaktuar qartë imuniteti i ministrit apo deputetit, dhe çështja e pezullimit nuk është e përfshirë aty. Çdo përpjekje për ta veshur me imunitet një ministër duke ndryshuar Kodin e Procedurës, ndërkohë që norma më e lartë, Kushtetuta, nuk e lejon, është një përpjekje iluzive,” shprehet ai.

Në komentet e tij gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, ish-ministri thekson se kjo manovër i jep një “mbrojtje iluzive” kabinetit qeveritar, duke u përcjellë mesazhin se SPAK-u nuk do të arrijë dot tek ata, pasi për çdo masë, përfshirë pezullimin, do të duhet miratimi i Parlamentit.

Ish-ministri e përkufizon ndërhyrjen si “ad hoc” dhe “ad personam”, pra një ligj i bërë për persona të caktuar dhe jo një reformë me interes publik. Sipas tij, kjo lëvizje e largon Shqipërinë nga modeli i demokracive perëndimore, ku një ministër nën hetim jep dorëheqjen për përgjegjësi politike, dhe e afron me praktikat e vendeve të Europës Lindore. “Kjo ka ndodhur në Rumani në vitin 2017. Ne po ikim nga modeli perëndimor dhe po shkojmë drejt modelit të Europës Lindore, sepse kryeministri nuk e pranon aktin politik të dorëheqjes,” përfundon Halimi.

Flavio Qarri: Le të shkojmë drejt e në thelb. Është një përpjekje e dëshpëruar apo një çmenduri e kalkuluar ajo që po bën kryeministri?

Eduart Halimi: Unë e quaj me shumë të dëshpëruar, sesa të kalkuluar. Kalkulimi ka të bëjë vetëm me një zvarritje, pra me një përpjekje për ta zvarritur procesin. Në qoftë se do të miratohet ky draft, me synimin për ta çuar sërish në Gjykatën Kushtetuese dhe sërish për të patur, për të pritur një vendim të Gjykatës Kushtetuese që mund të vonojë  disa muaj, dhe sigurisht me shpresën sepse koha do kalojë, sepse dhe politika është si një ndeshje futbolli, kalojnë minutat, kalon pjesa e parë, kalon pjesa tjetër dhe sigurisht që do ta shtyjë sa më shumë këtë proces. Unë e quaj këtë iluzive sepse në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenin 73, është përcaktuar qartë imuniteti që ka ministri apo deputeti. Dhe çështja e pezullimit të ministrit nuk është e përfshirë në nenin 73. Ndaj çdo përpjekje që ta veshësh me imunitet një zyrtar, një ministër, apo gjithë kabinetin ministror, duke ndryshuar Kodin e Procedurës, ndërkohë që norma hierarkike më e lartë që është Kushtetuta nuk e lejon, është një përpjekje iluzive. Pra, mua më duket nga ana juridike, jo politike, por nga ana juridike, nga konteksti juridik, më duket se ky është një mbrojtje iluzive që u jepet kabinetit të ministrave që ju firmosni sepse SPAK-u nuk do të arrijë dot te ju. Nuk do të arrijë dot që të marrë vendime vetë, domethënë gjykata nuk do të arrijë të marrë dot vendime vetë, sepse edhe për masën e pezullimit, ata duhet të vijnë në parlament. Për të kujtuar pak kontekstin. Gjykata, GJKKO-ja dhe SPAK-u vendosën pezullimin e zëvendëskryeministres me arsyetimin se do dëmtoheshin provat, pa patur nevojë për të shkuar në parlament. Pra, ndoqën një rrugë të shkurtër, e cila lejohet sipas nenit 242. Qeveria thotë që nuk lejohet sipas nenit 242 dhe për këtë shkak shkoi në Gjykatën Kushtetuese, ku katër gjyqtarë thanë që po, është e diskutueshme, ndërsa katër të tjerë në mënyrë të prerë i thanë se në qoftë se do që gjykatat të mos i pezullojnë ministrat, duhet të bësh ndryshime kushtetuese, jo ndryshime ligjore. Edhe nëse kjo do të miratohet, do të përplaset përsëri tek këta katër gjyqtarët, të cilët edhe pse qeveria është kujdesur që t'i japë edhe atyre një imunitet, sepse i përfshin edhe ata, te kjo pjesa e imunitetit, nuk besoj se ata do të ndryshojnë qëndrim, ose shpresoj që mos ndryshojnë qëndrim.

Flavio Qarri: Megjithatë, nëse gjithçka shkon vaj për Edi Ramën dhe kalon çdo ligj që ai dhe Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafa kanë menduar, hartuar, propozuar dhe siç duket ka gjasa edhe për ta votuar, çfarë lloj mbrojtje gëzon Rama me të gjithë nivelin e ligjeve që do të kalojë?

Eduart Halimi: Kjo është një ndërhyrje emergjente. Pra, është një ndërhyrje ad hoc. Nuk është ndonjë paketë, nuk është ndonjë reformë, është “ad personam”. Domethënë, është vetëm, unë mendoj që është vetëm për Ballukun, ose dhe për gjithë qeverinë.

Flavio Qarri: Disa thonë vetëm për Ramën…

Eduart Halimi: Një reformë e cila është për persona të caktuar, “ad personam”. Dhe e vetmja gjë që ata përfitojnë, është që, në rast se ata do të akuzohen për vepra penale, të mos ketë asnjë masë nga gjykatat, nga GJKKO-ja, pa marrë mendimin e parlamentit. Pra, deri më sot imuniteti parlamentar, në rastin e fundit që është ndryshuar, është ndryshuar në vitin 2012, ku unë kam qenë në atë kohë ministër për herë të fundit, dhe është ndryshuar me rekomandim të Këshillit të Europës dhe me miratim të të gjitha palëve, ku imuniteti i deputetit dhe i ministrave cedonte, duke e lënë pezullimin, duke e lënë përgjimin, pra ministrat, edhe sikur kjo të miratohet, ministrat sërish do të përgjohen. Por ama ministrat nuk mund të pezullohen siç u kërkua për Ballukun, por e vetmja masë që do t'i kërkohet, pra qoftë pezullimi, qoftë çdo masë tjetër, do të shkojë në parlament, ku parlamenti duhet të marrë 71 vota dhe qeveria ka 83. Pra ka mundësi që ta ndalojë, siç e ka ndaluar dhe herë të tjera te rasti i Tahirit në fillim.

Dhe çudira të tjera. Dua të them, nuk është se po ndodh ndonjë çudi në këtë terren. Kjo është një lëvizje, ashtu siç edhe e trajtova në shkrimin e djeshëm, një lëvizje tërësisht e ngjashme me vendet e tjera lindore. Nuk ndodh në Evropën Perëndimore, pra në qoftë se gjurmojmë apo le të shikojmë çdo kushtetutë dhe çdo paketë në Evropën Perëndimore, Itali, Greqi, Francë, Gjermani, Spanjë e me radhë, nuk gjendet kjo. Kur një ministër akuzohet për vepra penale, ai largohet nga detyra me akt politik. Është kryeministri. Halli që kemi neve është që kryeministri nuk e pranon këtë akt politik, edhe pse siç tha i është ofruar tre herë. Ndaj, ikim nga modeli perëndimor dhe jemi në modelin e Evropës Lindore. Kjo ka ndodhur në Europën Lindore, kjo ka ndodhur në Rumani....