Allegri ofendon Fabregasin pas Milan-Como: Je një fëmijë, një idiot që u bë trajner dje

Barazimi 1-1 mes Milanit dhe Comos në “San Siro” u shoqërua me tension të madh jashtë fushës, pas një përplasjeje të ashpër mes trajnerëve Massimiliano Allegri dhe Cesc Fabregas.

Incidenti ndodhi rreth minutës së 80-të, kur Fabregas ndërhyri duke tërhequr lojtarin e Milanit, Alexis Saelemaekers, teksa ai po përgatitej të ekzekutonte një goditje dënimi.

Reagimi i Allegrit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, çka i solli atij përjashtimin nga gjyqtari, ndërsa trajneri i Comos nuk u ndëshkua.

Pas ndeshjes, Allegri kritikoi publikisht veprimin e homologut të tij, ndërsa Fabregas kërkoi falje.

Megjithatë, tensioni vazhdoi edhe në zonën e intervistave, ku sipas mediave italiane, veçanërisht “Tuttomercato”, trajneri i Milanit e ofendoi sërish spanjollin me fjalë të rënda.

“Ju jeni fëmijë... je një idiot! Një fëmijë që u bë trajner dje", tha me zë të lartë Allegri për Fabregas, siç raportohet nga “Tuttomercato”.

Ngjarja ka shkaktuar debat të madh në Itali dhe pritet të shqyrtohet nga organet disiplinore, duke hedhur hije mbi një ndeshje që përfundoi pa fitues në fushë.