SYRI TV/ Berisha flet për shpopullimin e vendit: Në 13 vite, Shqipëria është boshatisur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen masivisht protestës kombëtare të opozitës më 20 shkurt. Gjatë foltores me demokratët dhe qytetarët e Sukthit, Berisha u ndal te varfërimi i shqiptarëve dhe largimet masive nga vendi si pasojë e keqqeverisjes socialiste. Duke folur për çështjen Balluku, lideri demokrat theksoi se Rama nuk e lëshon atë, pasi është vetë njeriu që ka urdhëruar aferat për të cilat akuzohet zëvendëskryeministrja.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar turin e tij të foltoreve, këtë herë në Sukth të Durrësit. Në një takim entuziast me demokratë dhe qytetarë të kësaj zone, Berisha u ndal te ajo që e quajti plagën më të madhe të Shqipërisë në këto vite, shpopullimin, i cili ka ardhur si pasojë e varfërimit të qytetarëve nga keqqeverisja socialiste në këto 13 vite.
Ka ndodhur që rrogat, pensionet dhe ndihma ekonomike janë rritur shumë më pak se çmimet. Çmimet janë rritur; në Shqipëri, çmimi i ushqimeve bazë është 17 për qind më i lartë se mesatarja e vendeve të BE-së. Pra, kjo është situata. Dhe çfarë ka sjellë? Ka sjellë zhytjen e ngadaltë të shqiptarëve në varfëri. Atëherë: ik, bir, ik, bijë, gjej fatin tënd rrugëve të botës, se këtu nuk e shtyjmë dot, këtu nuk ushqehemi dot, këtu nuk jetojmë dot. Pse kjo? Absolutisht vetëm për një arsye kryesore: sepse kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur. Ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja, taksat që ju paguani në çdo gotë ujë që pini. Ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja publike.
Një ndër arsyet e largimit dhe varfërimit të shqiptarëve, tha kreu i PD-së, është edhe ndarja e pasurive të tyre për interesa të Edi Ramës, ku një ndër to është edhe Porti i Durrësit.
Ç’po ndodh me portin e Durrësit? Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh, e kanë Troplinët. Portin e peshkatarëve, që e ndërtuam me taksat tuaja, e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik, bashkë me një Dorian Beu, a si quhet. E ndërton shteti, u jepet trafikantëve. Merreni tani edhe portin e peshkimit. Portet me radhë. 6 milionë metra katrorë bajlozëve të drogës. Investimet, 90 deri në 100 për qind e investimeve, zhduken dhe nuk kryhen. Kjo do të thotë se vendi shkatërrohet.
Lideri i selisë blu foli edhe për rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Ai tha se Edi Ramës i kërkohet largimi i saj, por ai nuk e lëshon, pasi është vetë ai njeriu që ka urdhëruar aferat për të cilat akuzohet Balluku.
Jemi në pikën më kritike se sot, pasi para jush, para mbarë shqiptarëve, para mbarë BE-së dhe partnerëve tanë, zëvendëskryeministrja është kapur në flagrancë me vjedhje. Filloi me 50 milionët e tunelit të Llogarasë, por ai ishte asgjë krahasuar me çfarë erdhën më pas. Që të gjitha në bashkëpunim me Edi Ramën. Tani këta kriminelë, se çdo epitet meritojnë, na thonë se do të bëjmë ligjin për t’i mbrojtur ata për vjedhjet që kanë bërë. Nuk ka akt më të ulët. Kurrë një kryeministër nuk ka dalë të thotë: tani me ligj unë nuk lejoj këtë veprim apo atë veprim të drejtësisë. A mund ta imagjinoni një njeri që depersonalizohet në shkallë ekstreme vetëm e vetëm që të bindë njeri se Lubi Balluku është e ndershme, është korrekte? Çdo fjalë që thotë, ata që e dëgjojnë e kuptojnë se ky është vetë Lubi Balluku, sepse ajo është thjesht një shërbëtore e tij që ka zbatuar urdhrat.
Berisha tha se demokratët kanë misionin më të rëndësishëm të jetës, atë të largimit të kësaj qeverie të korruptuar, dhe bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të 20 shkurtit.
Ndaj dhe 20 shkurti është dita jonë. Është dita në të cilën shqiptarët kanë triumfuar duke zvarritur figurën më të urryer të historisë së tyre kombëtare, Enver Hoxhën. Edi Ramën nuk e kanë për asgjë. Edi Rama nuk ka të ardhme. Fatin e tij do të pësojë.