‘Rama e ktheu Shqipërinë në parajsë hajdutësh’, Spahia: Reagimi kundër narko-qeverisë, detyrë qytetare!

Deputeti i PD, Bardh Spahia akuzon qeverinë për korrupsion të thellë dhe rënie drastike në renditjen e Transparency International, duke e lënë Shqipërinë pranë vendeve me diktatura dhe krim.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spahia shkruan se renditja nuk është thjesht një numër, por certifikim i dështimit të një qeverie që nuk punon për qytetarët, por për veten, oligarkët dhe klanet e drogës.

Spahia ftoi qytetarët të reagojnë në protestën e 20 shkurtit kundër qeverisë dhe narko-shtetit.

‘Kur qeveria kthehet në një strukturë që vjedh të ardhmen e fëmijëve tanë, që dëbon rininë dhe pasuron një grusht njerëzish, REAGIMI është detyrë qytetare!’, shkruan ligjvënësi demokrat në thirrjen drejtuar shqiptarëve.

Reagimi i plotë:

Si e ktheu Rama Shqipërinë në parajsë hajdutësh.

Raporti i fundit i Transparency International e konfirmon me shifra atë që çdo shqiptar e ndjen çdo ditë në xhepin e tij.

Shqipëria po zhytet në humnerën e korrupsionit!

​Rënie me 11 vende brenda një viti! Nga vendi i 80-të në të 91-tin, Shqipëria e Edi Ramës sot renditet krah vendeve që lëngojnë nga diktaturat dhe sundimi i krimit. Ky nuk është thjesht një numër, ky është certifikimi i një DËSHTIMI TOTAL të një qeverie që nuk punon për qytetarët, por për veten, oligarkët dhe klanet e drogës.

Prokurimet publike janë kthyer në vjedhje të hapur të taksave të qytetarëve që stërmundohen të arrijnë fundin e muajit.

Paratë e pista të krimit kanë kalbur çdo qelizë të administratës së narko shtetit.

Ndërsa bota na tregon me gisht si qendrën e korrupsionit në Ballkan, "lideri global", a.k.a jokeri i samiteve, vazhdon propagandën me ekrane shumëngjyrëshe për të fshehur realitetin e zi që shqiptarët e njohin mirë.

​Kur qeveria kthehet në një strukturë që vjedh të ardhmen e fëmijëve tanë, që dëbon rininë dhe pasuron një grusht njerëzish, REAGIMI është detyrë qytetare!

Mos lejoni që emri i Shqipërisë të njolloset nga një regjim që njeh vetëm vjedhjen dhe mashtrimin. Ky vend nuk i përket Edi Ramës dhe klanit të tij, i përket njerëzve të ndershëm që punojnë me djersë!

​Mjaft me propagandë! Mjaft me vjedhje! Mjaft me narko shtetin!

Është koha të mbushim sheshet. Nesër do të jetë vonë për Shqipërinë tonë.

#20shkurt

#protesto