Newcastle shkatërron me rezultat tenistik Qarabag-un, katër gola i shënon Gordon
Newcastle United hodhi një hap gjigant drejt fazës tjetër të Ligës së Kampionëve me një fitore të thellë 6-1 në fushën e Qarabağ-ut, në ndeshjen e parë të playoff-it. Një rezultat “tenistik” që nuk lë asnjë dyshim për ekipin që do të vazhdojë më tej.
Anglezët e nisën furishëm sfidën dhe kaluan në avantazh që në minutën e 3-të me Anthony Gordon, i cili finalizoi saktë pas asistit të Dan Burn. Në minutën e 8-të erdhi edhe goli i dytë: harkimi i saktë i Kieran Trippier u shndërrua në gol me kokë nga Malick Thiaw për 0-2.
Gordon ishte protagonisti absolut i pjesës së parë. Ai realizoi dy herë nga pika e bardhë në minutat 32’ dhe 45+1’, ndërsa në minutën e 33-të shënoi edhe golin e katërt pas një aksioni individual, duke e çuar rezultatin në 0-5 brenda pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë vendasit reaguan dhe ngushtuan shifrat me Elvin Cafarquliyev në minutën e 56-të, pas një kontrolli me VAR, që konfirmoi golin. Megjithatë, Newcastle nuk e uli ritmin. Në minutën e 73-të Jacob Murphy vulosi rezultatin përfundimtar 1-6 me një goditje nga jashtë zone të devijuar.
Deri në fund pati edhe disa raste të tjera të rrezikshme për anglezët, por portieri Mateusz Kochalski shmangu një disfatë edhe më të thellë me disa pritje vendimtare.